Nxënësi me sindromën daun/ Arturi tregon emocionet e ditës së parë të shkollës

Sociale | 3 vite më parë

Dita e parë e shkollës është emocionuese për çdo nxënës.

Arturi studion në klasën 6B të shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”.

Ditën e parë të shkollës ai e ka pritur me emocione ndërsa është i gëzuar që u bashkua me shokët dhe shoqet për një vit të ri shkollor.

Edhe shokët e Arturit ndihen të lumtur që do të jenë së bashku edhe një vit tjetër ku do të ndajnë sfida të reja të procesit mësimor e jo vetëm.

“Me Arturin shkojmë shumë mirë dhe e ndihmojmë sa herë ai ka nevojë. Ai sillet dhe ambientohet shumë mirë me ne,” tregon një nxënës.

Drejtoresha e konsideron Arturin si diellin e shkollës për të cilin thotë se trajtohet njësoj si të gjithë nxënësit e tjerë.

“Ju e vutë re, e prekët, e ndjetë. Arturi ishte shumë i lumtur dhe lumturinë e tij e përcjell tek të gjithë. Por në mënyrë të veçantë, e them me plot gojën e me shpirt, ai e përcjell tek unë,” thotë drejtoresha e shkollës.

Vera Buçi, mamaja e Arturit teksa na tregon kalvarin e vështirë e të pasurit një fëmijë me aftësi ndryshe dhe sfidën me të cilën e ka përballur zoti, jep mesazhe të forta sensibilizuese për shoqërinë në të cilën jetojmë.

“Pengu i prindit është gjithmonë. Fëmija është shumë i vështirë ta kuptojë. Ndoshta në vetvete, si Arturi ka shumë, nuk mund ta shprehë, edhe nëse është i përbuzur, ai prapë do i bashkohet shokëve. Këtë vuajtje ka prindi, për fëmijën jo shumë, sepse vetë logjika nuk arrin ta konceptojë që mua këta s’më duan. Ne si nëna duhet të luftojmë që këta të pranohen në shoqëri ashtu siç janë,” shprehet e ëma e Arturit.

Gjatë qëndrimit të tij në shkollë Arturi por edhe fëmijët e tjerë me aftësi ndryshe asistohen edhe nga mësues ndihmës.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme