OBSH: Vala e të nxehtit në Evropë përbën emergjencë shëndetësore

Uncategorized | 3 muaj më parë

Vala e të nxehtit që ka përfshirë disa vende evropiane prej një jave është klasifikuar si “një emergjencë shëndetësore” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, rritja e temperaturave po ushtron presion mbi sistemet shëndetësore dhe po vë jetë njerëzish në rrezik, ku në Francë raportohen tashmë dhjetëra viktima, ndërsa në Britaninë e Madhe dhe Gjermani po aplikohen masa kufizuese dhe paralajmërime për temperatura rekord.

OBSH: Rritje e vdekshmërisë dhe presion mbi sistemet shëndetësore

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, ka bërë të ditur se ky rajon po përjeton ngrohjen më të shpejtë në botë. Sipas tij, temperaturat që po i afrohen pragut prej 40°C në disa qytete po përkeqësojnë sëmundjet para-ekzistuese kronike dhe po rrisin rreziqet e tjera shëndetësore.

“Rajoni ynë po përjeton ngrohjen më të shpejtë në botë. Goditja nga nxehtësia është një urgjencë mjekësore me një shkallë të lartë vdekshmërie”, deklaroi Kluge.

Sipas të dhënave të OBSH-së, vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë tek personat mbi 65 vjeç është rritur me afërsisht 85% midis periudhave 2000-2004 dhe 2017-2021. Kluge shtoi se:

“Vetëm në katër vitet e fundit, nxehtësia ka shkaktuar mbi 200,000 vdekje në Rajonin Evropian të OBSH-së, ndërsa vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë është rritur me 30% gjatë njëzet viteve të fundit”.

Si rrjedhojë, organizata ka hartuar rekomandime të reja për planet e veprimit shëndetësor drejtuar autoriteteve publike.

Në Francë, situata është rënduar si pasojë e temperaturave të larta gjatë natës, të cilat u cilësuan si më të nxehtat që nga viti 1947. Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, konfirmoi se dyzet persona kanë humbur jetën nga mbytja që prej datës 18 qershor, pasi kanë kërkuar strehim në ujëra të ndaluara për not, si liqene, lumenj dhe kanale të pakontrolluara. Në mesin e viktimave nga vala e të nxehtit në vend raportohen edhe dy fëmijë të mbyllur në makinë.

Ministrja e Sportit, Marina Ferrari, bëri thirrje publike për respektimin e rregullave të sigurisë, duke theksuar:

“Nuk është rastësi, gjatë valëve të nxehtësisë si kjo, të notosh në zona të pakontrolluara. Është e kuptueshme; të gjithë duhet të freskohen dhe njerëzit duan të shkojnë në ujë, braktisja e rregullave është e rrezikshme, por ne duhet të jemi vërtet të kujdesshëm se ku zhytemi.”

Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat kanë arritur në 32°C, duke tejkaluar mesataret sezonale dhe duke shkaktuar probleme infrastrukturore. Ura e Vjetër Wye në Chepstow, e cila lidh Anglinë me Uellsin, u mbyll sërish për automjetet vetëm një javë pas rihapjes së saj. Ekspertët kanë identifikuar çarje të reja në disa trarë mbajtës, të cilat “nxehtësia dhe lagështia mund t’i përkeqësojnë, duke paraqitur një rrezik real për sigurinë“.

Paralelisht, autoritetet po shqyrtojnë mbylljen e shkollave në disa zona të Anglisë dhe Uellsit, ku paralajmërimi i motit pritet të ngrihet në një alarm të kuq lokal për shkak të parashikimeve se temperaturat mund të mbërrijnë afër 40 gradëve.

Gjermani: Parashikohen temperatura rekord dhe rrezik zjarresh

Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) ka njoftuar se Gjermania pritet të shënojë temperatura deri në 40 gradë Celsius të premten, duke rrezikuar të thyejë rekordin e mëparshëm të qershorit prej 39.6 gradë Celsius, të regjistruar në vitin 2019 në Bernburg.

Sipas zëdhënëses së DWD-së, ky prag pritet të tejkalohet veçanërisht në zonat perëndimore dhe jugperëndimore të vendit. Përveç nxehtësisë ekstreme, autoritetet gjermane kanë paralajmëruar rritjen e rrezikut për zjarre në pyje, duke vendosur nivelin katër nga pesë (rrezik i lartë) në pjesë të mëdha të jugut të Gjermanisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme