Parlament, Balluku prezanton projektet infrastrukturore

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka prezantuar në parlament projektet infrastrukturore që pritet të përfundojnë brenda mandatit të tretë të socialistëve. Ajo tha se portet dhe aeroportet janë pjesë e paketës së zhvillimit.
“Kanë nisur disa prej tyre, siç është porti i ri i Durrësit në Porto Romano. Gara përmbyllet në fund të muajit Tetor. Gara ndërkombëtare do të vendosë edhe një kohë limiti për 36 muaj. Porti i Ri dorëzohet brenda këtij mandati. Faza e parë e projektit të ballinës në portin ekzistues që do të kthehet në zonë për përdorim turistik dhe banimi, kemi nisur nga puna për fazën e parë të negocimit. Në fazën e parë dhe të dytë brenda mandatit të tretë” tha zonja Balluku. Më tej ajo tha se “Porti i Vlorës do të kthehet në port jahtesh. Porti tregtar zhvendoset në zonën e Triportit”.
Pas operimeve që kanë nisur në mënyrë normale pa asnjë lloj kufizimi në aeroportin e Kukësit, zonja Balluku tha se brenda nëntorit nisim kantierin për aeroportin e Vlorës. Po bëhet studimi i ambientit dhe menjëherë ngritja e kantierit në zonën e destinuar për t’u bërë ky aeroport që do jetë më i madh. Parashikohet të ketë edhe shërbime për mirëmbajtjen e avionëve dhe transportin e mallrave nga ajri.
Ministrja Balluku tha se është hapur gara për aeroportin e Sarandës. “Do jetë aeroport turistik sezonal. Na rezulton që do të përpunojë kapacitete të rëndësishme nga muaji prill deri në muajin nëntor për lëvizje charter. Do duhen 24 muaj për ndërtim” tha ministja. Duke marrë parasysh afatet për garën dhe kontratën, aeroporti i Sarandës parashikohet të dorëzohet në pranverën 2025, në përfundim të mandatit të tretë.
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku foli edhe për Korridori Blu, një garë e shtyrë për një afat tjetër. “Me fillimin e punës do të rihapet gara por nuk pritet të përfundojë brenda këtij mandati. Për të plotësuar këtë korridor një nga pjesët më të rëndësishme është Bypass-i i Gjirokastrës”, tha zonja Balluku.
Në vemendje të qeverisë këtë mandat do të jene edhe hekurudhat. Sipas ministres Shqipëria do të bëhet me tre linja hekururdhore. Veç asaj Tiranë-Durrës, qeveria parashikon ndërtimin e linjave Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Pogradec. “Kemi arritur të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë hekurudha Tiranë-Durrës. Kantieri nis në fund të këtij muaj para se të mbarojë shtatori. Jemi në fazë negociatash për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit që do krijojë akses edhe në vende të tjera të Ballkanit. Kjo hekurudhë që prek një pjesë të mirë të të gjithë territorit” tha zonja Balluku.”Është vlerësuar, si një projekt me kompleksitet të ulët. Jemi besimplotë që do të dorëzohet brenda këtij mandati. Banka e Investimeve ka marrë përsipër të na mbështesë për segmentin nga Durrësi në Pogradec , por ndërkohë do të nisim me segmentin e parë nga Durrësi në Rrogozhinë” spjegoi Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku në parlament me rastin e paraqitjes së programit të qeverisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




