Patenta/ Fluks vizitash te okulisti, shtohen anomalitë me shikimin

Sociale | 3 vite më parë

Shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, bashkë më pushimet kanë ardhur të bëjnë edhe kontrollet e domosdoshme për rinovimin e patentës.

Kjo vizitë, sipas mjekes Zana Zhuka, duhet të jetë shumë serioze.

“Vizita duhet të merret seriozisht edhe nga mjeku okulist, edhe nga klienti. Autorefraktometri është një aparat që bën përcaktimin e refraksionit të numrit të syzeve, nëse ka miopi, hipermetropi apo asigmatizëm. Pra bëhet fjalë për kontrollin e anomalive të refraksionit,” thotë mjekja e Poliklinikës Nr. 3.

Nga fluksi i kontrolleve, mjekja konstaton anomali të shtuara me shikimin për të cilat nuk kanë dijeni shumë nga kandidatët për marrjen e lejes se drejtimit.

“Kemi pasur shumë djem dhe vajza që kanë nevojë për syze. Një vërejtje kam, që ua kam thënë edhe drejtpërdrejt: duhet ta kishin bërë kontrollin përpara se të vinin për vizitën vlerësuese të patentës tek okulisti. Pothuajse të gjithë i mësojnë problemet me shikimin gjatë kësaj vizite,” shprehet okulistja Zhuka.

Përveç emigrantëve këtij fluksi i shtohen edhe 18-vjeçarët, që pajisen për herë të parë me lejen e drejtimit të automjetit, si edhe ata që duan ta rinovojnë këtë dokument.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme