PD akuza Nikollës për shpenzime luksi, Kuvendi: Byroja, ku bën pjesë dhe opozita, vendos për shpenzimet

Kuvendi ka hedhur poshtë të shtunën deklaratat e zëdhënëses për Anti-Korrupsion në PD, Genta Vangjeli, lidhur me shpenzimet që ky institucion ka bërë.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Kuvendi bëri të ditur se planifikimi, detajimi dhe përdorimi i burimeve financiare të Kuvendit të Shqipërisë, sipas programeve buxhetore, vendoset dhe miratohet nga Byroja e Kuvendit, organ në të cilin bëjnë pjesë edhe deputetët e opozitës.
Pas miratimit në Byro, sqaron Kuvendi, bëhet raportim 4-mujor i realizimit të treguesve të buxhetit, të cilat janë publike.
Sipas deklaratës, mënyra e përdorimit të burimeve financiare respekton rigorozisht rregullat dhe procedurat për shpenzimin e fondeve të buxhetit të shtetit dhe publikohen në faqen e Kuvendit.
“Fondet e Kuvendit të Shqipërisë janë pjesë e buxhetit të shtetit dhe përdorimi i tyre rregullohet nëpërmjet prokurimit publik. Deklarata e sotme e Foltores është e mbushur me të pavërteta e sajime, të cilat nuk i përgjigjen realitetit. Shpenzimet për të cilat bëhet fjalë në deklaratën e Foltores janë shpenzime për funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe aspak për shpenzime luksi”, theksohet në deklaratë.
Sipas Kuvendit, zëri kryesor prej 829.700.000 lekë, janë pagat e deputetëve dhe të administratës.
“Në ato që deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet operative, 479.556.000 lekë, të domosdoshme për mbështetjen e veprimtarive parlamentare dhe kryerjen e funksioneve të Kuvendit. Mos vallë duhet të ndërpritet veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë? Në ato që deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet për udhëtime jashtë vendit të delegacioneve të Kuvendit, 58.391.411 lekë, në kuadër të detyrimeve për të marrë pjesë dhe kontribuar në veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare ku jemi anëtarë. Asnjë deputet i Kuvendit, në maxhorancë a opozitë, nuk është penguar të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare. Të mos zhvillojmë diplomaci parlamentare për të mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilën Kuvendi gjatë kësaj legjislature është investuar në mënyrë të shtuar?”, sqaron Kuvendi.
Në përgjigje të pretendimeve të opozitës, Kuvendi publikoi edhe zërat e buxhetit për këtë insitucion për vititn 2023.
“Për transparencë, informojmë publikun se buxheti i Kuvendit për vitin 2023 është:
1.513.843.540 leke nga të cilat; për pagat
829.700.000 lekë; sigurimet shoqërore
112.384.000 lekë; shpenzimet operative
479.556.000 lekë; kuota parlamentare
15.090.000 lekë; fondi i veçantë
2.113.540 lekë; shpenzime kapitale
75.000.000 lekë; realizimi si 10-mujor
1.085.948.857 lekë”, sqaron Kuvendi.
Akuzat e opozitës
Zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në PD, Genta Vangjeli përmes një deklarate për shtyp informoi se Kuvendi shpenzoi 12 milionë euro në 10 muaj, për shpenzime luksi, udhëtime dhe arredime zyrash.
“Në 10 muajt e këtij viti, Lindita Nikolla dhe firma e saj u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 12.8 miliard lekë ose mbi 12 milion euro. Nëse kjo vlerë e shpenzimeve të Kuvendit, pjesa më e madhe për udhëtime, dieta, pritje e përcjellje, vetëm për 10 muaj të këtij viti, do të konvertohej në pagesa pensioni, 64 mijë pensionistë do të përfitonin 200 euro pension në muaj”, thuhej në deklaratë.
Sipas saj, Nikolla ka firmosur për vitin 2023 7.5 miliardë lekë paga për punonjës të miratuar në organikë dhe punonjës me kontratë për kohë të kufizuar; 1.6 milairdë lekë kompensime për anëtarët e parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të zgjedhur; 26 milionë lekë shpenzime për mbështetje financiare të menjëhershme të punonjësve për zbutjen e impaktit të krizës; 522 milionë lekë udhëtime të jashtme dhe 520 milionë lekë udhëtime të brendshme.
“Partia Demokratike nuk propozon mospagimin e punonjësve të Kuvendit, por nuk i përligj shpenzimet për arredime zyrash, pritje e përcjellje, udhëtime luksi të kryeparlamentares nëpër botë bashkë me ekipin e saj. Sidomos ne quajmë antiligjore dhe të papranueshme pushimin e padrejtë nga puna të punonjësve të Kuvendit, gjë që pas vendimit të gjykatave u ka kushtuar shqiptarëve 63 milion lekë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, fondet janë publike jo personale, dhe se ajo është aty për t`i shërbyer shqiptarëve të cilët mundësojnë edhe pagën e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




