PD kallzon Ramën në SPAK : Ndërhyri për të liruar të ndaluarin nga policia, të përfshirë në skemën e blerjes së votave

Politikë | 6 vite më parë

Partia Demokratike, ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK kryeministrin Edi Rama për krime zgjedhore. Në një deklaratë për median, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi tha se me ndërhyrjen e Ramës është liruar Basri Babaj, i cili sipas tij ishte ndaluar nga Policia e Shkodrës 3 ditë para zgjedhjeve, ndërsa në makinë ju gjendën armë dhe para “që përdoreshin për të blerë vota si dhe materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zonës.
“Basri Babaj/Baba që qarkullonte me makinë të blinduar në Laç, Vau Dejës është ndaluar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër nga vetë drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër Niko Ibrahimaj ditën e mërkurë, 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në makinë janë gjetur, në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri, shuma të mëdha parash që përdoreshin për të blerë vota si dhe materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zonës. Me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, Basri Babaj është lënë i lirë në mesnatën e po asaj dite. Ndërhyrjen e Edi Ramës e ka ndërmjetësuar një telefonatë e Frrok Gjinit, i renditur i pesti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës”, theksoi Bardhi.

Ndërsa më herët PD ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama që tha se PS do të konsultohet me PD-në për emrin e Presidentit të ri të vendit, pas shkarkimit të kreut të shtetit Ilir Meta. Në reagimin e PD thuhet se qëllimi i kryeministrit është “që të largojë vëmendjen nga ajo që PD e ka cilësuar si masakër elektorale. “Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë pëmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi”, thuhet në reagimin e PD-së. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme