PD për turizmin, Basha: Dyfishojmë kapacitetet dhe vendet e punës!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi këtë të mërkurë programin për turizmin. Në rast fitoreje në zgjedhje, PD në pushtet do të angazhohet për dyfishim të kapaciteteve dhe pagave të punonjësve të këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë. “Angazhohem të dyfishojmë kontributin në punësim nga rritja e turizmit në ekonomi, nga 40.000 në 80.000 vende pune. Kjo do ta ndryshojë ekonominë tonë. Do t’u japë njerëzve punë dinjitoze dhe shpresë” premtoi kreu i PD Lulzim Basha.
Lideri i opozitës tha se turizmi do të jetë përparësi e PD. Zoti Basha deklaroi se do të dyfishohen kapacitetet akomoduese e do të rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. “Angazhohem të dyfishojmë kapacitetet akomoduese, duke hapur kështu dyert për më shumë turistë. E për pasojë do të kemi më shumë vende të reja pune. Angazhohem të punoj për të rritur kohëzgjatjen e sezonit turistik, përmes diversifikimit të ofertave turistike, bregdetare, malore, rurale e kulturore. Kështu ne do të dyfishojmë kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë. Do t’u japim atyre më shumë arsye stimuluese për ta vizituar Shqipërinë. Si rrjedhojë e këtyre masave qeveria e re angazhohet të rrisë numrin e turistëve të huaj me 15% në vit”, deklaroi kreu i PD Lulzim Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



