PD prezanton programin e Shëndetësisë, Basha: Do të ndërtojmë një sistem model për të gjithë rajonin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar këtë të hënë Programin për Shëndetësinë. Sipas kryedemokratit, synohet që të ndërtohet një sistem model për të gjithë rajonin. “Me planin tonë, ne do ta shërojmë Shqipërinë. Do të krijojmë kushtet që jo vetëm të ringrihemi nga shtrati i lëngimit, por të ndërtojmë një sistem model për të gjithë rajonin”.
Zoti Basha deklaroi se pacienti do të vendoset në qendër të sistemit dhe do të zgjedhë mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku dëshirojnë të kurohen. “Pacienti do të vendoset në qendër të sistemit sipas parimit “paraja ndjek pacientin.” Ju vetë do të zgjidhni mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku doni të kuroheni. Spitalet publike do të riorganizohen duke dhënë autonomi menaxheriale, për të rritur kujdesin dhe aftësinë për t’ju shërbyer ju sa më mirë. Do të ketë paga dinjitoze për mjekët dhe infermieret. Në programin tone Shqipëria fiton Shëndetësinë, paga e infermiereve do të behet 700 Euro dhe e mjekëve do te behet 1200 Euro. Në këto kohë të vështira ne e pamë, se pavarësisht se ishin lënë pas dore, ata ishin heronjtë tanë! Ata luftuan për ne, për të afërmit tanë, në vijën e parë! Dhe e meritojnë! Ne do të rrisim numrin e mjekëve dhe do të hapim një fakultet të ri mjekësor në Shqipëri. Ne do të sigurojmë menjëherë bazën ligjore dhe do të ushtrojmë kontroll të plotë që në Shqipëri të shiten vetëm ilaçe të cilësisë së lartë të standardit të vendeve europiane.” tha ndër të tjera lideri demokrat.
“Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar Europian”, theksoi kreu i PD.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




