PD: Projektbuxheti 2021 do rrënojë më shumë ekonominë shqiptare

Partia Demokratike e konsideron projekt-buxhetin 2021, të hartuar nga qeveria Rama, një projekt që rrënon më shumë ekonominë përmes shpërndarjes së fondeve vetëm për luksin qeveritar dhe inceneratorët.
Drejtori i Kabinetit në PD-së Dorian Teliti tha sot se ky projekt ka 5 problematika themelore, përmes së cilave ligjërohet sipas tij urdhëri “kap ca të kapesh”.
“Së pari, qeveria do të gllabërojë të gjithë vlerën e shtuar të ekonomisë me anë të huamarrjes, me anë të borxhit. Vetë qeveria parashikon që Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me 830 milionë euro gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që po vetë qeveria ka planifikuar deficitin 2021 në plot 890 milionë euro. E gjithë rritja ekonomike praktikisht do të konsumohet nga tafmaja qeveritare për shpenzime jo produktive. ” tha zoti Teliti.
“Së dyti, ligjërohet urdhri “Kap ça të kapësh”. Për të kryer sa më shumë tendera, për të kapur çdo qindarkë që ka mbetur ne arkën e shtetit, për të prerë shiritat elektorale, qeveria për herë të parë në historinë 30-vjecare, autorizon kryerjen që këtë vit të procedurave të prokurimeve publike të vitit tjetër ende pa u çelur buxheti në janarin e vitit të ardhshëm. Fondet ende nuk janë çelur, por institucionet të prokurojnë me urgjencë – urdhëron Rama” tha Teliti.
Sipas zyrtarit të lartë të PD “Së treti, ky nuk është buxheti që mbështet biznesin, asgjë për ta, përkundrazi, rriten me 25 milionë euro detyrimet e tyre për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.”.
“Së katërti, ky nuk është buxheti i pensionistëve, pasi nuk parashikon rritje reale të pensioneve për mbi 650 mijë pensionistë, e jo më për bonusin e tyre për festat e fundvitit.Nuk është buxheti i familjeve me ndihmë ekonomike, pasi asnjë qindarkë shtesë nuk do të ketë për ta.Nuk është buxheti i dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë, të harruar tashmë nga qeveria e premtimeve boshe, e cila për vitin e ardhshëm do të financojë vetëm 8 mln euro, tre herë më pak sesa viti 2013” tha zoti teliti.
“Dhe së pesti, po jo më pak nga rëndësia, ky nuk është buxheti i njerëzve të thjeshtë, i të papunëve, i sipërmarrësve shqiptarë, por është buxheti i oligarkëve të PPP-ve dhe qeveritarëve të shpenzimeve luksoze”, deklaroi Drejtori i Kabinetit në PD-së Dorian Teliti i cili tha se Partia Demokratike e konsideron projekt-buxhetin 2021, të hartuar nga qeveria Rama, një projekt që rrënon më shumë ekonominë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




