PD u financua nga Rusia për zgjedhjet e 2017-ës? Basha hedh poshtë pretendimet e SHBA: Nuk kemi marrë kurrë para

Politikë | 4 vite më parë

Pas pretendimeve të SHBA se Rusia ka financuar  me 500 mijë dollarë Partinë Demokratike për zgjedhjet e vitit 2017, ka reaguar ish-kryetari i PD, Lulzim Basha. Ky i fundit ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarit të lartë të administratës së Biden duke deklaruar se PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj.

Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, Basha shkruan se në kohën që në media u qarkulluan pretendime të tilla, PD ka kërkuar hetim dhe drejtësia rrëzoi çdo pretendim për financime të huaja. Basha shpreh krenarinë për partneritetin e palëkundur me SHBA.

“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”, shkruan Basha.

Sipas një zyrtar të lartë të administratës së Joe Biden, Rusia ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende dhe ka financuar me 500,000 dollarë Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme