PE miraton rezolutën kundër rusisë, dënohen shumë veprime të saj

Botë | 6 vite më parë

Parlamenti Evropian të enjten e miratoi rezolutën kundër Rusisë, me të cilën Kremlini kërcënohet me masa shkaku i trajtimit të opozitarit të burgosur, Aleksei Navalny, grumbullimit të trupave afër kufirit me Ukrainën dhe çasjes agresive ndaj Çekisë.

Rezoluta që nuk ka karakter detyrues u përkrah nga pesë grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian. Për miratimin e saj votuan 569 deputetë, 67 votuan kundër dhe 46 të tjerë abstenuan, shkruan Free Europe.

Në tekstin e kësaj rezolute, mes tjerash, thuhet: “Rusia paraqet jo vetëm një kërcënim të jashtëm për sigurinë evropiane, por gjithashtu është duke zhvilluar një luftë të brendshme ndaj popullit të vet në formën e shtypjes sistematike të opozitës dhe arrestimeve në rrugë.”

Rezoluta më tej thotë se helmimi i opozitarit Navalny vitin e kaluar ishte tentim i vrasjes që u krye nga agjentët e shërbimeve ruse të sigurisë brenda Federatës Ruse.

Përmes këtij dokumenti i bëhet thirrje Rusisë që menjëherë ta lirojë nga burgu Navalnyn dhe t’i tërheqë forcat ushtarake nga kufiri me Ukrainën. “Shkalla dhe aftësitë sulmuese në atë zonë tregojnë qëllime të sulmit”, thuhet në rezolutë.

Sa i përket fushës së energjisë, rezoluta i bën thirrje Bashkimit Evropian që ta zvogëlojë varësinë nga Rusia duke e parandaluar kompletimin e gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani, i cili kalon nëpër ujërat e Detit Baltik./


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme