Peleshi pret delegacionin suedez, mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në një takim zyrtar në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Suedisë (Riksdag), në kuadër të forcimit të marrëdhënieve parlamentare dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Kryetari Peleshi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Suedisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për rrugën europiane të Shqipërisë dhe nënvizoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare në forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit dhe Riksdag mbështet marrëdhëniet dypalëshe dhe avancimin e anëtarësimit në BE.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe konstante të Suedisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se hapja e grup-kapitujve të negociatave përfaqëson një fazë të re dhe konkrete në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur reformat dhe për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe sigurisë rajonale si edhe mes dy vendeve tona në kuadër të misioneve ndërkombëtare dhe forcimit të sigurisë euroatlantike.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi rolin e Suedisë si një prej partnerëve më të rëndësishëm zhvillimorë të Shqipërisë, veçanërisht në mbështetjen për reformën në drejtësi, qeverisjen e mirë dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Nga ana e delegacionit suedez u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian, angazhimi në politikën e jashtme të përbashkët të BE-së dhe roli konstruktiv i vendit tonë në rajon. Suedia vlerëson arritjet e dukshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si një proces i bazuar në meritën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





