Pentagoni drejt reformimit – Hegseth dhe Trump kërkojnë ushtri më të fortë dhe pa ndikime politike

Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka paralajmëruar reforma të mëdha në ushtrinë amerikane, duke e quajtur gjendjen aktuale “dekada të kalbjes”. Në një takim të rrallë me qindra gjeneralë dhe admiralë në Virxhinia, ai tha se ushtria do t’i japë fund ndikimeve ideologjike që, sipas tij, e kanë dobësuar për vite me radhë.
Hegseth kritikoi përqendrimin tek tema si klima, barazia gjinore dhe udhëheqësit që ai i cilësoi si “toksikë”. “Ushtria është detyruar të merret me gjërat e gabuara, por kjo nuk do të ndodhë më”, deklaroi ai. Sipas tij, testet fizike do të kenë standarde më të larta dhe neutrale ndaj gjinisë, edhe nëse disa gra përjashtohen nga shërbimi.
Gjatë fjalës së tij, ai njoftoi edhe ndryshime të mëdha në drejtimin ushtarak. Qëndrimet e Hegseth u përkrahën edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili mori pjesë në të njëjtin takim. Me tone shaka, Trump u shpreh: “Nuk kam hyrë ndonjëherë në një dhomë më të heshtur”.
Ai premtoi se do të “rizgjojë shpirtin luftarak të ushtrisë”, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin e vendit. Presidenti amerikan paralajmëroi se do të shkarkojë menjëherë çdo udhëheqës ushtarak që nuk i pëlqen.
Takimi u mbajt në bazën “Quantico” nën masa të rrepta sigurie dhe është konsideruar i pashembullt për nga përmasat. Ndërkohë, nënpresidenti JD Vance u përpoq të minimizojë rëndësinë e ngjarjes, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për diskutime pozitive mbi gjendjen e ushtrisë.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





