Përfundon punimet Komisioni Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS, miratohet raporti i PS

Pas debatesh, Komisioni Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS ka miratuar raportin e Partisë Socialiste.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur këtë të martë (23 korrik), kreu i komisionit, Ervin Salianji, tha fillimisht se komisioni e ka gati raportin përfundimtar, ndërsa propozoi që nëse socialistët kanë mendim ndryshe, t’i përgatisin ato me shkrim dhe t’i bashkëngjiten raportit.
“Të dy versionet diskutohen pasi të lexohen dhe mendimi i pakicës, nëse ju keni mendim ndryshe që mund t’i shtojmë, jemi të gatshëm t’i diskutojmë dhe t’i miratojmë në një raport. Të dy versionet diskutohen pasi të lexohen dhe mendimi i pakicës, nëse ju keni mendim ndryshe, përgatitini me shkrim mendimet dhe t’i bashkëngjitim te raporti përfundimtar. Nuk do ta shkelim ligjin që të përfundojmë siç përfundojnë njerëz që e shkelin ligjin”, tha ai.
Megjithatë, nënkryetari i Komisionit, deputeti socialist Toni Gogu, i cili doli me një tjetër raport, ndërsa u shpreh se një raport nuk mund të quhet i komisionit pa marrë vendimin përfundimtar, duke kërkuar që të kalojnë për votim.
“Nëse raporti që ju keni përgatitur është ajo që keni thënë gjatë gjithë veprimtarisë së këtij komisioni, do të jetë mendimi i pakicës për shkak se raportin e komisionit, të përgatitur nga ekspertët, dy ekspertë kanë përgatitur atë raport dhe jo domosdoshmërish ka mbështetjen tonë. Ne kemi një raport të përgatitur nga një grup tjetër ekspertësh. Që të quhet raport i komisionit duhet të marrë vendimmarrjen, ai raport që merr vendimin përfundimtar është raporti i komisionit”, tha Gogu.
Salianji propozoi që të bashkoheshin të dy raportet, në mënyrë që të dilet vetëm me një qëndrim. Megjithatë, kërkesa e tij u rrëzua nga deputetët socialistë që votuan në bllok kundër. Në përfunidm, komisioni miratoi si raport përfundimtar atë të PS-së. Raporti pritet të kalojë të enjten për votim në Kuvend, ndërsa Salianji tha se do t’i bashkëngjitet edhe raporti i opozitës si mendim pakice.
Raporti i Partisë Socialiste u prezantua nga deputeti Tonin Gogu, ndërsa rekomandon që të bëhen ndryshime ligjore brenda 6 muajve. Raporti kërkon rishikim tërësor të veprimtarisë të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




