Përfundon takimi Osmani- Rama, situata në veri të Kosovës, Procesi i Berlinit, Samiti i NATO-s, në qendër të bisedimeve

Situata në veri të Kosovës, Procesi i Berlinit dhe Samiti i NATO-s, kanë qenë 3 çështjet në qendër të takimit mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit, Edi Rama. Kjo është bërë e ditur nga vetë Presidentja Osmani, nëpërmjet një postimi në Twitter.
“Me KM Edi Rama, diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në në Samitin e NATO-s & Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit është në të mirë të qytetarëve tanë & në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.”- shkruan Osmani.
Theksi tek situata aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit, Procesi i Berlinit dhe Samiti i NATO-s, është vënë në qendër edhe të njoftimit për shtyp, që zyra e presidentes shpërndau pas takimit me Ramën.
“Në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit.”- thuhet në njoftimin për shtyp.
Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.
Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë.
“Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.”- thuhet në njoftimin për shtyp.
Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




