Përgjimet e antimafias italiane, PD: Për Veliajn të ndiqet standarti i drejtësisë së Tahirit

Partia Demokratike në një reagim përmes zëdhënëses Ina Zhupa tha se përgjimet e antimafias italiane nxjerrin në dritë korrupsionin në majat më të larta të pushtetit të kryeministrit Ramës. Duke iu referuar rastit “Tahiri”, PD kërkon që edhe për Veliajn të ndiqet i njejti standart nga drejtësia. “Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë lodhur duke dëgjuar Edi Ramën dhe justifikimet e tij. Edi Rama dhe Erion Veliaj e dinë sesa thellë janë futur në biznesin me mafian, prandaj nuk u japin qytetarëve përgjigje reale për përfshirjen në biznes me mafian italiane përmes lejeve të ndërtimit, koncesioneve apo tenderave. Minimalisht, Edi Rama, në vend të mallkimeve për median dhe mohimit të përgjimeve, siç bën gjithmonë, duhet të ruante me Veliajn të njëjtin standard si për Saimir Tahirin. Në të njëjtat rrethana, për përgjime të ngjashme nga Antimafia Italiane, Tahiri u largua me dorëheqje. Rama dhe marionetat e tij kanë dështuar në administrimin e vendit. Rama dhe marionetat e tij kanë 8 vite me premtime të pambajtura. Tani, Ramës dhe marionetave të tij u kanë shpërthyer skandalet në duar.” tha zëdhënëses Ina Zhupa.
Zhupa nënvizoi se PD është gati për të sjellë ndryshimi “Askush nuk i beson më ata. Shqiptarët dinë më shumë se kaq. Më 25 prill ata do t’u tregojnë derën këtyre pushtetarëve të korruptuar. Është koha t’i themi mjaft një qeverie që punon vetëm për vete. Vendit i duhet ndryshimi dhe Partia Demokratike është gati për të sjellë ndryshimin. Për të ringritur ekonominë, për të fuqizuar rininë, për të siguruar një jetë dinjitoze për shqiptarët.”tha ajo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



