Përkujtohet 100 vjetori i lindjes së mësuesit Vasil Kamami, Kushi: Model frymëzimi për brezat
Sociale | 6 vite më parë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, mori pjesë në simpoziumin e organizuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Vasil Kamamit, mësuesit dhe drejtuesit të nderuar të Shkollës Normale, që jetën e tij ia kushtoi edukimit të brezave.
“Figura si Vasil Kamami janë yje që nuk shuhen asnjëherë dhe shërbejnë si modele frymëzimi për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave tona, për përgatitjen, përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe përkujdesjen si një prind i dytë për nxënësit e tyre”, – tha Kushi.
Ministrja Kushi thekson se “është detyrë e jona për të çuar përpara misionin e tyre fisnik të arsimimit të brezave si dhe avancimin e programeve të mësuesisë, me qëllim lartësimin e vazhdueshëm të figurës së nderuar të mësuesit, sepse ai përgatit jo vetëm profesionistët e aftë të së ardhmes, por edhe qytetarët e mirë dhe të denjë të kombit”.
Vasil Kamami lindi më 1 maj 1921 në një familje elbasanase. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm shkollën Normale fitoi vendin e parë në një konkurs të Ministrisë së Arsimit për të vijuar studimet në Itali. Në 1945 filloi punë në Liceun e Korçës e më pas në Normalen e Elbasanit.Ai ka botuar në shtypin pedagogjik e periodik të kohës mbi 60 artikuj. Kamami u nda nga jeta në 16 mars 1991.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




