Përshtatja në shkollë, psikologët këshillojnë program ditor të qartë dhe aktivitet fizik

Sociale | 3 vite më parë

Nisja e klasës së parë përbën një ndryshim të rëndësishëm për fëmijët e kësaj moshe, me të cilin jo të gjithë përshtaten shpejt.

“Për momentin nuk është përshtatur edhe pse është java e dytë e shkollës,” thotë një prind.

“E madhja e ka pasur shumë të vështirë. Qante përditë, ndërsa e vogla nuk e ka problem fare. Shkon me qejf,” shton një prind tjetër.

Viti i ri shkollor shoqërohet shpesh herë me problematika për fëmijët e klasave të para, të cilët e kanë të vështirë përshtatjen dhe përqendrimin në klasë. Specialistët këshillojnë një ditë të strukturuar mirë, të pasur me aktivitet fizik.

”Kur ne evidentojmë që ka fëmijë që kanë nevojë për më shumë strukturim dhe mbështetje ne i këshillojmë ata të kenë një axhend për ta ndihmuar fëmijën sa më shumë që të jetë i fokusuar,” thotë psikologia.

Për rastet kur mos përqendrimi tek fëmija zgjat psikologët marrin në trajtim  nxënësin, duke kërkuar ndihmën e prindërve dhe mësuesve

”Kur bëhet fjale për problematik atëherë nuk bëhet fjale për ndërhyrje ditore por bëhet fjalë për një ndërhyrje e strukturuar për të ndihmuar fëmijën që të përshtatet mirë me shkollën, me detyrat, me përgjegjësitë sepse është një mur që vendoset tullë pas tulle dhe ne jemi aktorë në këtë proces,” thotë psikologia.

Psikologët këshillojnë prindërit të shtojnë komunikimin me fëmijët e tyre kur ata nisin shkollën, si dhe ndjekin një program të përditshëm ditor me orare të caktuara gjë që i ndihmon në rritjen e përqendrimit.

Gazetare: Keti Toroveci

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme