Pranvera sjell turistë në Shkodër, vizitorët vlerësojnë Kalanë, bukurinë e Liqenit dhe gatimin
Të tërhequr nga bukuritë natyrore, historia dhe kultura e qytetit, vizitorët po zgjedhin Shkodrën si një nga destinacionet kryesore për të kaluar ditët e para të sezonit turistik. Një nga pikat më të vizituara mbetet Kalaja e Rozafës, ku turistët ndalen për të njohur historinë e lashtë dhe për të shijuar panoramën e mrekullueshme që ofron kjo kala mbi qytet dhe zonat përreth.
Po ashtu, shumë vizitorë zgjedhin të kalojnë kohë pranë Liqenit të Shkodrës, duke shijuar natyrën, shëtitjet dhe aktivitetet në ajër të pastër.
“Vij nga Kalifornia, kemi disa kohë këtu në Shqipëri, por kemi kënaqësinë të jetojmë në Shkodër. Kafja na pëlqen shumë, burri im është i merakli kafeje, por në Amerikë jemi mësuar me ato filxhanat e mëdhenj, ndërsa këtu na shijon shumë kafeja juaj në filxhanë të vegjël. Kemi vizituar kalanë dhe shijuam ngjitjen, pamja nga atje lart ishte e mrekullueshme. Kemi vizituar edhe liqenin, por nuk kemi pasur shumë kohë, kemi qëndruar vetëm për një drekë, por do rikthehemi përsëri” – u shpreh një prej turistëve.
Ndërsa një tjetër theksoi se “Kemi jetuar në Itali, në Sicili më saktë, dhe atje kemi takuar njerëz që na kanë folur për Shqipërinë. Kemi qenë në Durrës, në Sarandë, në Tiranë. Dhe janë shumë të bukura për t’u vizituar, por kur erdhëm në Shkodër ramë në dashuri, është perfekte. Kemi 4 vjet që shkojmë e vijmë në Shqipëri. Picat janë më të mira se në Itali, atje i hedhin shumë djathë.”
“Hera e parë në Shkodër, është shumë bukur. Kam qëndruar 6 ditë, i kam vizituar të gjitha vendet turistike: kalanë, liqenin, xhaminë, katedralen. Do rikthehem përsëri pas një jave, tani po shkoj në Podgoricë” – u shpreh një tjetër vizitor.
Të kontaktuar, operatorët turistikë dhe bizneset lokale shprehen optimistë për sezonin që sapo ka nisur, duke theksuar se interesi për Shkodrën po rritet nga viti në vit, veçanërisht gjatë pranverës kur qyteti merr një atmosferë të veçantë.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





