Presidencialet në SHBA, shtetet që mund të përcaktojnë rezultatet

Ndërsa kanë mbetur vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit, presidenti republikan Donald Trump dhe kandidati demokrat Joe Biden po bëjnë fushatë intensivisht në shtetet “fushëbetejë” ose “të lëkundura”, ku po bëhet lufta më e ashpër politike. Këto shtete janë të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale amerikane, ku fituesi nuk përcaktohet nga vota popullore, por secili shtet ka një numër të caktuar votash elektorale, të cilat i jepen njërit prej kandidatëve ose tjetrit në varësi të rezultatit të votës popullore në atë shtet.
Në të gjitha shtetet, me përjashtim të Meinit dhe Nebraskës, kandidati që merr votat më të shumta popoullore në një shtet fiton të gjitha votat elektorale të atij shteti. Ky sistem zgjedhor i nxit kandidatët të bëjnë fushatë më intensive në shtetet konkurruese ku fitorja mund të nënkuptojë shanse më të shumta drejt Shtëpisë së Bardhë.
Shtetet e kontestuara ngushtë që mund të “priren” drejt secilës parti, të tilla si Pensilvania, marrin më shumë vëmendje nga kandidatët sesa shtetet e tjera, të tilla si Kalifornia, ku njëra parti është pothuajse e sigurt që do të marrë shumicën e votave.
Mbi 10 shtete konsiderohen vazhdimisht të lëkundura sepse kanë pasur vazhdimisht garë të ngushtë në zgjedhjet e fundit presidenciale. Gjashtë prej tyre shihen si më të rëndësishmet në vitin 2020, sepse popullsia e tyre e madhe u jep më shumë vota elektorale. Ato janë Arizona, Florida, Miçigani, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Uiskonsin.
Presidenti Trump fitoi në këto gjashtë shtete në 2016 me një diferencë fare të ngushtë, në disa raste më pak se një përqind, por sondazhet aktualisht tregojnë një epërsi të vogël për zotin Biden në të gjashta këto shtete.
Analistët thonë se ndërsa zoti Biden ka gëzuar një epërsi të qëndrueshme në sondazhe për muaj me radhë, frika kryesore e fushatës së tij tani është se ai mund të fitojë votën popullore, por të humbasë votën e kolegjit elektoral – siç ndodhi me kandidaten demokrate Hillary Clinton në 2016.
Biden aktualisht ka një avantazh të lehtë në Florida – një prej shteteve me numrin më të madh të të moshuarve në vend – me një mesazh që administrimi i keq i koronavirusit ka marrë jetën e shumë të moshuarve, një grup më i prekshëm nga pandemia.
Presidenti Trump e ka drejtuar vëmendjen shpesh tek Florida gjatë gjithë fushatës së tij, duke vizituar shpesh vendpushimin e tij Mar-a-Lago dhe duke rritur regjistrimin e votuesve në shtet si pjesë e një strategjie për t’i bindur amerikanët e bardhë të klasës punëtore që nuk kishin votuar më parë.
“Nëse Joe Biden fiton Floridën, do të jetë shumë e vështirë për Donald Trump-in të mbledhë 270 votat e kolegjit elektoral të nevojshme për të fituar,” tha anketuesi republikan Whit Ayres i “North Star Opinion Research”. Nëse zoti Trump fiton Floridën, tha Ayres, Biden ka ende mënyra të tjera, megjithëse jo aq të sigurta, për të fituar 270 vota elektorale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




