Presidenti Begaj firmos ndryshimet në qeveri, të hënën dekretet në parlament

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj firmosi të shtunën (9 shtator) dekretet e shkarkimit të ministrave që largohen nga detyra dhe njëkohësisht emërimin në detyrë të ministrave të rinj.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi asamblenë e PS se kishte ndërmarrë disa ndryshime në kabinetin e tij.

Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jetë Ervin Mete, deri tani drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ndërsa ministra e deritanishme Delina Ibrahimaj do të jetë ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Albana Koçiu do të jetë ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale duke zëvendësuar në këtë post Ogerta Manastirliun.

Zonja Manastirliu do të jetë ministrja e re për Arsimin dhe Sportin.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, do të zëvendësohet në këtë detyrë nga diplomati Igli Hasani.

Anila Denaj do të jetë ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duke zëvendësuar Frida Krifcën.

Kryeministri Rama njoftoi krijimin e një ministrie të re, atë të Pushtetit Vendor, që do ta mbulojë Arbjan Mazniku.

Të hënën pritet që parlamenti shqiptar të miratojë në një seancë të posaçme dekretet presidenciale për ndryshimet në qeveri. Më pas ministrat e rinj do të betohen para presidentit.

Për kryeministrin Edi Rama, ndryshimet në kabinet, pritet të sjellin një qasje dhe frymë të re qeverisëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme