Presidenti Vuçiç prezanton sot para deputetëve raportin për negociatat me Prishtinën

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të prezantojë sot para deputetëve një raport për negociatat me Prishtinën. Kryetari i Komisionit Parlamentar, Millovan Drecun, deklaroi se pret një diskutim gjithëpërfshirës nga seanca e posaçme dhe theksoi se të gjithë deputetët janë të shqetësuar dhe të përkushtuar për të gjetur zgjidhje për këtë sfidë të vështirë.
Deputetët e Kuvendit të Serbisë në seancën e posaçme të Kuvendit do të shqyrtojnë Raportin për procesin e negociatave me Prishtinën nga 15 qershori 2021 deri më 1 shtator 2022.
Raportin do ta prezantojë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili do të informojë deputetët dhe qytetarët për gjendjen aktuale, sfidat si dhe gjithçka që shteti ka bërë deri më tani për popullin serb në Kosovë.
Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për dokumentet identifikuese, por nuk patën një konsensus sa i përket çështjes së targave. Kosova dhe Serbia ranë dakord që Serbia të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës, dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe. Kështu, nga data 1 shtator hyri në fuqi marrëveshja mes dy vendeve, ku qytetarët filluan të lëvizin lirisht vetëm me letërnjoftime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



