Prezantohet projektbuxheti 2023, Ibrahimaj: Rritja ekonomike pritet të jetë 2.6 %! Javës tjetër sjellim paketën fiskale

Ekonomi | 4 vite më parë

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për 2023. Duke theksuar që projektbuxheti 2023 është ndikuar nga lufta, Ibrahimaj tha se qeveria është përpjekur që përmes masave të mbajë një zhvillim ekonomik të qëndrueshme.

Ministrja tha se për 2023 parashikohet që rritja ekonomike të jetë 2.6%, ndërsa inflacioni 6.5-7%.

“Për vitin 2023, drafti që po prezantoj adreson sfida të rëndësishme. Politika fiskale do ketë objektiv ulja e stokut të borxhit publik dhe të rritet qëndrueshmëria ekonomike, jemi përballur deri më tani me rritje të madhe të inflacionit e megjithatë e kemi ndjeshëm më të ulët se vendet e rajonit. Ne vendosëm një mburojë që na kushton shumë, duhen ruajtur parametrat kryesorë të ekonomisë, deri më tani kemi përballur mirë pasojat e luftës në Ukrainë. Do shohim si do shkojë 3 mujori i katërt, të shohim zhvillimet në arenën ndërkombëtare, mos të harrojmë se dhe ekonomitë e vendeve më të mëdha kanë pësuar rënie. Parashikohet një rritje ekonomike me 2.6% për vitin 2023. Inflacioni mesatar 6.5-7% për vitin 2023”, tha Ibrahimaj.

Megjithatë gjatë prezantimi ka pasur edhe debate ku opozita ka kërkuar që të kishte edhe paketën fiskale 2023 pasi nuk ka si ta dijë se si mund të ndikojë ajo në buxhet.

“Po nuk e kemi Paketën Fiskale, ku është Paketa Fiskale? Si mundet qeveria të votojë projekt buxhetin kur s’ka paketë fiskale. Si do ndikojë ajo te buxheti dhe si është ndërtuar buxheti pa Paketë Fiskale?”, tha Tabaku.

Ibrahimaj tha se paketa fiskale do vij javën tjetër dhe do të diskutohet bashkërisht me buxhetin.

“Lufta ka pasur ndikim të madh në ndërtimin e buxhetit. Në prezantimin e buxhetit do ju sqarohet se si do implikojë paketa fiskale buxhetin. Të dyja do diskutohen bashkërisht. Paketa do miratohet të mërkurën e ardhshme dhe do diskutohen bashkërisht”, tha ministrja Ibrahimaj. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme