“Prindërimi i vetëm, një sfidë e përditshme”, psikologia: Kujdesi për mirëqenien emocionale të vetë prindit është po aq i rëndësishëm
Prindërimi i vetëm është një realitet me të cilin përballen shumë familje. Përveç përgjegjësive të përditshme, ai shoqërohet edhe me sfida emocionale si për prindin, ashtu edhe për fëmijën.
“Prindërit që rrisin një fëmijë vetëm, kryesorja dhe më e rëndësishmja është mbingarkesa e roleve. Pra, një prind i cili jeton vetëm, në shumë raste duhet të mbajë shumë gjëra përsipër: sigurimin e ekonomisë, sigurimin e qetësisë dhe të bëjë shumë gjëra në të njëjtën kohë”, tha Elsida Sinaj, psikologe dhe psikoterapiste.
Ajo ndalet edhe te ndikimi që mund të ketë kjo situatë në zhvillimin emocional të fëmijës.
“Nuk është numri i prindërve që ndikon në mënyrën se si rritet emocionalisht fëmija, por është cilësia e mbështetjes emocionale, fizike dhe sociale që prindi ofron në raport me fëmijën. Është shumë e rëndësishme që prindi të ulet, të gjejë kohë dhe të flasë me fëmijën, në mënyrë që ai t’i shprehë emocionet”, tha ajo.
Kujdesi për mirëqenien emocionale të vetë prindit është po aq i rëndësishëm për një marrëdhënie të shëndetshme me fëmijën.
“Një prind i cili jeton vetëm duhet të kujdeset shumë për stresin e tij, sepse e transmeton atë edhe te fëmija. Kështu që, një prind duhet ta kthejë vëmendjen edhe te vetja, duke u marrë me gjëra që i pëlqejnë. Një prind i sigurt ndikon në krijimin e një fëmije të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha ajo.
Dashuria, komunikimi i hapur dhe krijimi i një mjedisi të sigurt emocional mbeten faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës pavarësisht strukturës së familjes.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




