Procedimi i dy efektivëve /Balla: Veshi i shurdhër dhe syri qorr, janë rreshtim i policisë kundër shtetit

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar sërish sot pas procedimit penal të dy efektivëve që fshehën ngjarjen për 3-vjeçare që iu thye këmba nga dhuna e ushtruar në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, Balla shkruan se, “veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit”.

Ndër të tjera ai tha se “në vijim të verifikimit për veprimet apo mosveprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, lidhur me hetimet për rastin e vajzës tre vjeçare në një kopsht privat në Tiranë, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë (AMP) ka referuar për vlerësim në Prokurorinë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, materialet procedurale në ngarkim të dy punonjësve të Komisariatit Nr. 1, për “Shpërdorim detyre”, shkruan Ministri në rrjetet sociale, pas njoftimit të AMP”.

Më tej, Balla vlerëson qytetarët si partnerët kryesorë të Policisë, në luftën kundër paligjshmërisë.

“Qytetarët janë jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, nga çdo lloj forme dhune, abuzimi dhe krimi”, nënvizoi ministri Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme