Programi i vetëpunësimit 2026, në qarkun Shkodër do të financohen projektet e 38 punëkërkuesve

Ekonomi | 53 minuta më parë

38 punëkërkues të papunë nga qarku i Shkodrës do të mbështeten me grante deri në 1 milion lekë për të nisur aktivitetet e tyre të biznesit, në kuadër të Programit të Vetëpunësimit 2026. Për grantet e këtij viti kanë aplikuar mbi 200 punëkërkues, kryesisht mosha të reja.

Projektet e shpallura fituese nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive përfshijnë fusha të ndryshme të veprimtarisë ekonomike, me fokus te shërbimet dhe prodhimi i vogël.

“Janë 38 ide biznesi të cilat janë shpallur fituese. Nga këto duhet të veçoj për garancinë rinore, ku kemi 16 të rinj të cilët janë shpallur fitues, pra që i përkasin kategorisë nga mosha 15 deri në 29 vjeç. Po ashtu kemi dhe punëkërkues të cilët i përkasin moshës mbi 30 vjeç, të cilët janë 22 persona. Kanë qenë më shumë se 218 aplikime për këtë vit dhe Shkodra renditet si në rang kombëtar me numrin më të lartë të fituesve”, tha Julian Jana, drejtues i AKPA Shkodër.

Nga të përzgjedhurit mbështetja financiare nga ky program vlerësohet si një mundësi konkrete për vetëpunësim dhe zhvillim profesional në tregun lokal.

“Unë e pashë të arsyeshme që profesionin e financieres ta ushtroja në mënyrë private dhe zyra e punës më dha mundësinë që t’i blej pajisjet që më duhen me këtë fond që u miratua nga programi i vetëpunësimit. Kjo është një mundësi shumë e mirë sidomos për personat që e kanë një ide biznesit dhe gjithashtu për personat që kanë kohën për me e zhvilluar atë ide biznesit por nuk i kanë fondet e mjaftueshme”, tha Irena Camaj, përfituese nga “Programi i Vetëpunësimit 2026”.

“Jam një ndër pjesëmarrësit në garancinë rinore dhe një ndër fitueset e grantit të vetëpunësimit. Jam paraqitur me idenë “Kway”. Agjenci promovimi ku do promovohet zona ime nga ku vij, nga zona e Postribës. Kjo ide lindi nga dëshira ime për të promovuar vendin tim për shkak të rritjes së shumtë të turistëve gjatë kohëve të fundit dhe është një zonë e paprekur”, u shpreh Seneida Shkambi, përfituese  nga “Programi i Vetëpunësimit 2026”.

Ky është viti i gjashtë i zbatimit të Programit të Vetëpunësimit, i cili synon nxitjen e sipërmarrjeve të reja dhe krijimin e mundësive për punësim të qëndrueshëm. Deri më tani, nga ky program kanë përfituar afro 200 punëkërkues të papunë nga qarku i Shkodrës.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme