Progres-raporti, Tabaku: Korrupsioni, fushë me probleme serioze! PS: Shqipëria ka bërë progres

Opozita dhe mazhoranca duket se nuk e kanë lexuar njësoj progres-raportin e BE-së për Shqipërinë, teksa njëra palë e sheh me nota pesimizmi, ndërsa tjetra si konfirmim të progresit të vendit. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për integrimin evropian, bashkëkryetarja e Këshillit, Jorida Tabaku u shpreh se korrupsioni mbetet një fushë me probleme serioze, e po ashtu edhe krimi i organizuar.
“Korrupsioni mbetet një fushë me probleme serioze. Duhet trajtuar kultura e ndëshkimit. Raporti tregon se duhet vullnet më i madh politik dhe sesi gjyqësori tentohet të korruptohet. Duhen aftësitë për të shkuar te niveli i mjaftueshmërisë dhe kjo duhet diskutuar cilat janë nevojat e institucioneve të reja të drejtësisë. Një anketë e OECD renditi se një arsye e largimit të shqiptarëve jashtë vendit është korrupsioni, por që sot nuk është më korrupsion banaqesh që luftohet me dixhitalizimin, por kemi korrupsion politik me ligje që ka kapur nivelet më të larta. Kjo është një sëmundje që duhet të rregullohet menjëherë. Krimi i organizuar mbetet një problem për Shqipërinë. Problemi i “pasaportave të arta” dhe amnistia fiskale qëndrojnë po ashtu. Në lidhje me gjyqësorin, përsëri kemi një numër të madh çështjesh të mbetura që ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”, tha ajo.
Në përgjigje të Tabakut, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se Shqipëria ka bërë progres dhe se raporti i BE ishte pozitiv.
“Ndoshta ke marrë raportin e një vendi tjetër se këto që thatë ju nuk janë në raport. Një progres raport pozitiv duhet ta shohësh për ta parë Shqipërinë një këndvështrim tejet pozitiv. Kemi një fotografi të cilën duhet ta pranojmë siç është. Komisioni Europian bën një pasqyrim të gjendjes së Shqipërisë dhe një fotografi të asaj që Komisioni shikon. Shqëipëria ka bërë progres”, tha Balla.
Njësoj e ka parë raportin edhe Ministrja Olta Xhaçka, teks ai bëri thirrje opozitës që të mos bëjnë një lexim të nxituar apo selektiv të tij. Xhaçka përmendi arritje në fushën e gjyqësorit, ekonomisë dhe të drejtave të njeriut.
“Reforma gjithëpërfshirëse e drejtësisë ka rezultuar në progres të përgjithshëm të mirë. Reforma e administratës publike, Shqipëria rezulton me një nivel të moderuar përgatitjeje. Një mesazh për opozitën, të mos bëjmë një lexim të nxituar apo selektiv. Nuk na bën nder që të shkëpusim fjali nga raporti. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Shqipëria ka bërë përgatitje të cilat kanë dhënë disa rezultate. Të drejtat themelore të njeriut, kemi përmbushur standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së tyre. Kriteri ekonomik, vendi ka bërë progres të mirë dhe është mesatarisht i përgatitur për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. Prokurimet publike, vendi ka bërë përparime duke miratuar legjislacionin zbatues. Rekomandimet e KE do të mbeten në fokus të punës së qeverisë e të administratës. Ecuria jonë në këtë grup kapitujsh, na jep mundësinë të ulemi më shpejt në Konferencën Ndërqeveritare hapëse të këtij grupimi. Në raport Shqipëria vlerësohet si një partnere aktive dhe e besueshme e BE”, tha Ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




