Projekti “SmartCapital”, 59 milion dollarë investime të reja dhe 1500 vende pune në bujqësi

Ekonomi | 6 vite më parë

Në pesë vitet e zbatimit të tij, projekti “SmartCapital” ndihmoi 1,000 agrobiznese të realizojnë 59 milionë dollarë investime të reja si dhe krijoi 1,500 vende të reja pune. Mikaela Meredith, përfaqësuese e USAID në Shqipëri foli për partneritetin e fortë dhe mbështetjen e palëkundur të qeverisë së SHBA-së ndaj Shqipërisë. Ajo theksoi se zbatimi i suksesshëm i “SmartCapital” sot lë një trashëgimi të vyer që do të vijojë të mbështesë rritjen e sektorit të bujqësisë. “Tek i hedhim sytë nga e ardhmja, ka të tjerë njerëz, biznese dhe tregje që do të përfitojnë nga përvoja e SmartCapital dhe që do të përdorin çka ju keni bërë si bazë për punën e tyre. Kam vënë re se Creative Business Solutions po mundohet të hapë një fond privat kapitali për të gjithë rajonin. Ju uroj fat të gjithëve për këtë kapitull të ri pune dhe për përpjekjet e ardhshme! “Krah për Krah” është një shprehje që e përdorim shpesh në Shtetet e Bashkuara në kontekstin e partneritetit. USAID-i punon me ju, sepse ne i shohim investimet e Shteteve të Bashkuara si katalizatorë që mund të përdoren për mobilizimin e qeverive, organizatave ndërkombëtare, fondacioneve dhe bizneseve të ndihmojnë vendet me planifikimin, financimin dhe zbatimin e qëllimeve të veta të zhvillimit. Dhe gjatë këtyre viteve projekti SmartCapital ka zbatuar të njëjtën qasje.” tha zonja Meredith.

Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri tha se afrimi i komunitetit të biznesit në sektorin e bujqësisë me standarde europiane dhe forcimi i lidhjeve tregtare SHBA-Shqipëri ishin prioritete kryesore të projektit SmartCapital.“Shqipëria është duke përparuar drejt Bashkimit Europian dhe po ndërton lidhje të forta ekonomike me Shtetet e Bashkuara. Ky ishte dhe qëllimi i projektit 5 vite më parë, të sillte fermerët dhe agrobizneset shqiptare pranë standardeve europiane.  Ne do të vijojmë punën, dhe kjo është një nga arritjet e këtij projekti, me platformat e krijuara dhe shërbimet që janë të qendrueshme.”  tha zoti Jaço.

Gjatë viteve të implementimit të projektit partneri USAID, krijoi dy platforma digjitale për lehtësimin e kreditimit të fermerëve, e cila lidh fermerët me bankat dhe lehtëson kreditimin e sektorit të bujqësisë e cila mundëson eksportin e prodhimeve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme