Protesta e pedagogëve, Partia e Lirisë thërret në seancë dëgjimore Evis Kushin

Politikë | 4 vite më parë

Prej disa javësh pedagogët janë ngritur në protestë për rritjen e pagave dhe rritjen e financimit për kërkimin shkencor. Në këtë kuadër, deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka kërkuar seancë dëgjimore me ministren e Arsimit Evis Kushi për peticionin e pedagogëve.

Sipas saj, fakti që viti akademik nis pas dy javësh dhe protesta e pedagogëve mund të përshkallëzojë, ishin arsyet e thirrjes në seancë dëgjimore të Ministres Kushi.Kjo e fundit, sipas Xhixhos, duhet të parasqesë hapat që po ndiqen për plotësimin e kërkesave të pedagogëve.

“Seancë urgjente pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit për peticionin e pedagogëve të Shqipërisë! Prej disa javësh, pedagogët janë në protestë dhe nëpërmjet një peticioni të përpiluar nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH ) i janë drejtuar institucioneve përgjegjëse, nga të cilat kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre të drejta. Nisur nga fakti që nisja e vitit akademik fillon pas dy javësh dhe mund të vihet në rrezik për shkak të përshkallëzimit të protestës, kam kërkuar urgjent seancë pyetjeje -përgjigje me ministren e  Arsimit , për t’u informuar jo vetëm unë, por pedagogët dhe gjithë opinioni publik se kush janë hapat që po ndiqen për plotësimin e kërkesave të drejta të tyre.

Kërkesat kryesore që ata kanë, janë: Rritje e pagave për pedagogët, stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, për të arritur të paktën nivelin e pagave të universiteteve publike të Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30% në tetor 2022 dhe 20% në tetor 2023.  Ritje e financimit për kërkimin shkencor, të paktën në 0.3% e GDP, më 2023. Si deputete e Kuvendit, e vlerësoj të domosdoshme së pari transparencën dhe adresimin e menjëhershëm të kësaj problematike dhe së dyti plotësimin e kërkesave të drejta të stafit akademik nga ana e Ministrisë së Arsimit. Vetëm duke vlerësuar mësuesit e pedagogët garantojmë arsim cilësor.  Vetëm duke e kthyer arsimin në prioritet kombëtar, mund t’u kthejmë shpresën të rinjve dhe intelektualëve të zgjedhin Shqipërinë dhe jo largimin nga vendi!”, shkruan Xhixho në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme