Protesta/ Meta: Historike, Rama do japë llogari, ndryshimi do të vijë me çdo çmim

Politikë | 4 vite më parë

Historike dhe madhështore e ka konsideruar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, protestën e kësaj të shtune të opozitës. Nga podiumi i vendosur para kryeministrisë, në fjalën e tij Meta hodhi një “lumë” akuzash në drejtim të kryeministrit Edi Rama, teksa e quajti atë “armik të provuar të interesit kombëtar”.

Kreu i PL-së theksoi se Rama do të japë llogari, teksa e bëri atë përgjegjës për një sërë shkelje të Kushtetutës, duke përmendur shkatërrimin e Parlamentit, bllokimin e iniciativave dhe projektligjeve të opozitës dhe bllokimin e Komisioneve Hetimore të kërkuara prej tyre.

“Kjo protestë historike dhe madhështore është prova e dinjitetit më të lartë qytetarë dhe patriotik. Sot është ora për t’u përballur me një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur dhe armik të provuar të interesit kombëtar. Struci i rilindjes i cili është fshehur nga frika e tmerrshme që ai ka nga përballja me të vërtetën me popullin dhe dëmet e pallogaritshme që i ka shkatuar. Rama e përdori pushtetin vetëm për të kapur shtetin për interesat e tij dhe mafiozëve. Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën, Rama është edhe afera që ka derdhur kupën e zemërimit mbarëpopullorë. Rama e ka të qartë se llogaridhënies nuk i shpëton dot. Do të japë llogari deri në një për të gjitha shkeljet e Kushtetueses, shkatërrimin e Parlamentit dhe bllokimin e të gjitha inciativave dhe projektligjeve të opozitës. Do japë llogari edhe për bllokimin e Komisioneve hetimore të opozitës në Kuvend sepse ai ka tmerr nga korrupsionet e tij që nuk i mbulon dot kush. Do japë llogari edhe për përjashtimin e deputetëve nga grupet e tyre. Do japë llogari edhe për pengmarrjen e integrimit europian. Ai i është kundërvënë vlerave themelore të shtetit ligjor dhe llogaridhënies. E zëvendësoi procesin e integrimit europian me procesin e korruptimit”, tha Meta.

Sipas Metës, numërimi mbrapsht për largimin e Ramës ka nisur, ndërsa tha se ndryshimi do të vijë me çdo çmim.

“Populli e ka marrë vendimin dhe nuk do lejojë më që Rama të uzurpojë zyrën e kryeministrit që e ka kthyer në një çerdhe mafioze, ku prodhohet vetëm mjerim. Numërimi mbrapsh për largimin e të keqes ka filluar. Jemi këtu për ndryshimin me çdo çmim dhe çmimin ta zgjedhë lepuri i fshehur sot”, u shpreh Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme