Protesta në parlament e opozitës, Gjekmarkaj: Përpjekje për të rikthyer dinjitetin

Politikë | 3 vite më parë

Demokratët janë të vendosur të vazhdojnë protestën e tyre në parlament me të gjitha format demokratike derisa të detyrojnë maxhorancën të respektojë të drejtat kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit. Vendosmërinë e opozitës e përcolli në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, nënkryetari demokrat i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj.

“Nuk e gjykoj si radikalizim, por si një përpjekje për të rikthyer dinjitetin. Ne kemi detyrën morale të mbrojmë mandatet dhe votuesit tanë. Kemi detyrimin historik për rikthimin e kushtetutshmërisë në vend. Po toleruam këtë, nesër do të ndodhin ngjarje më të rënda,” tha Gjekmarkaj.

Përmes protestës, që ka sjellë anormalitet në punimet e Kuvendit, opozita kërkon respektimin e Kushtetutës për ngritjen e komisioneve hetimore, përfaqësimin në komisionin e reformës zgjedhore me deputetët e përzgjedhur prej saj dhe mospërfshirjen e PS në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD. Në këtë përplasje mes qeverisë dhe opozitës, vihet re heshtja e faktorit ndërkombëtar. Një heshtje që e ka ndier edhe nënkryetari demokrat i Parlamentit, i cili ka një apel për SHBA dhe BE.

“Ne jemi të interesuar për normalitet. Me këtë rast, i drejtohem dhe opinionit ndërkombëtar. Nëse duan të na vënë në provë, le të ndikojnë që të kthehet ligjshmëria. Nuk kërkojmë favore. Komisione hetimore, reformë zgjedhore. Pastaj ta shohin a kthehemi apo jo në shinat e normalitetit. Mesa duket është qeveria ajo që nuk do normalitet dhe do që t’i mveshë opozitës një fytyrë që nuk është e saj,” u shpreh Gjekmarkaj në emisionin “Pa Censurë”, duke pranuar se prej 2 vjetësh ka një ftohje të faktorit ndërkombëtar me PD edhe për shkak të debatit të brendshëm konfliktual.

Pjesë nga intervista për emisionin “Pa Censurë”

Elona Meço: Zoti Gjekmarkaj, ju jeni një zë kritik dhe racional në politikën shqiptare. A mendoni se radikalizimi do t’i shërbejë opozitës këtë herë?

Agron Gjekmarkaj: Nuk e gjykoj si radikalizim, por e shoh si përpjekje për dinjitet, për të rikthyer disa sinore që kanë humbur gjatë këtyre 2 viteve. Më shumë sesa të forcojë institucionet, maxhoranca është investuar në defunksionalizimin dhe në një angazhim propagandistik për ta zhvlerësuar atë dhe për ta bërë sa më të paqëndrueshme në situatën e saj në parlament.  Kanë arritur deri aty sa i mohojnë opozitës të drejtat që i jep Rregullorja. Është amza e përbashkët që na mban në Parlament. Kushtetuta është amza e madhe që mban gjithë shqiptarët brenda shtetit. Të dyja këto janë shkelur. Kjo është një protestë për të arritur rikthimin e të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave që na jep Rregullorja në Parlament. Nuk po bëjmë një betejë për karriget tona. Në këtë moment, nuk është as një betejë për të rrëzuar qeverinë, por është një betejë për të rifituar statuset që na takojnë me tagret e pluralizmit dhe demokracisë që nga viti 1990, kur ne kemi hyrë në brazdën e lirive demokratike.

Elona Meço: Duke mos lejuar socialistët të zhvillojnë mbledhje normale në parlament, ju nuk mund të ndryshoni qëndrimin e tyre për komisionet hetimore, për përfaqësimin e opozitës në komisionin e reformës zgjedhore apo që maxhoranca të vendosë herë pas here në dyshim kreun e grupit parlamentar të opozitës. Atëherë ku ju çon rruga e bllokimit, e konfrontimit, e përplasjeve?

Agron Gjekmarkaj: Ne kemi detyrën morale të mbrojmë mandatet dhe votuesit tanë. Kemi detyrimin historik për rikthimin e kushtetutshmërisë në vend. Po toleruam këtë, nesër do të ndodhin ngjarje më të rënda. Ne do të bëjmë betejën, pastaj fatin e kësaj beteje do ta përcaktojnë shumë rrethana, por ne nuk do të na falej, nëse nuk do të përpiqeshim ta kthejmë këtë legjitimitet. Çfarë po kërkojmë ne? Po kërkojmë komisione hetimore, që na jep kushtetuta, po kërkojmë përfaqësim në komisionin e reformës zgjedhore dhe një gjë aq të thjeshtë sa mosndërhyrja në çështjet e brendshme të grupit parlamentar të PD.

Elona Meço: Dhe ku ju çon rruga e bllokimit, e përplasjes, e konfrontimit? Është mjeti i duhur?

Agron Gjekmarkaj: Është rruga e fundit që ka mbetur. Me lutje, me fjalime etike, mesa shoh, nuk kemi pasur sukses. Edhe tani, nuk e di sesa sukses do të kemi, por ne duhet të provojmë çdo rrugë demokratike të mosbindjes për të rikthyer në Kuvendin e Shqipërisë ato që janë të drejta themelore kushtetuese dhe bazike. Çfarë marrim si përgjigje? Praninë e Gardës kudo në institucionet e Parlamentit. Ne jemi të interesuar për normalitet. Me këtë rast, i drejtohem dhe opinionit ndërkombëtar. Nëse duan të na vënë në provë, le të ndikojnë që të kthehet ligjshmëria. Nuk kërkojmë favore. Komisione hetimore, reformë zgjedhore. Pastaj ta shohin a kthehemi apo jo në shinat e normalitetit. Mesa duket është qeveria ajo që nuk do normalitet dhe do që t’i mveshë opozitës një fytyrë që nuk është e saj.

Elona Meço: Si e shpjegoni që faktori ndërkombëtar, dikur aktiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ngjashme në parlament, sot hesht? Hesht edhe SHBA, edhe BE, edhe OSBE, që e monitoron Parlamentin.

Agron Gjekmarkaj: Kjo është një ftohje e tyre me krizat që kanë ndodhur në PD në këto 2 vite. Unë dhe kolegët e mi nuk jemi në betejë për çështje të tjera që mund të hamendësohen. Jemi në betejë vetëm për të rifituar dinjitetin në Kuvendin e Shqipërisë.

Elona Meço: Po thoni që janë ftohur vetëm këto 2 vitet e fundit me ju?

Agron Gjekmarkaj: Debati i brendshëm në PD, konfrontimet, qëndrimet e ndryshme ndaj ndërkombëtarëve kanë çuar në një shkëputje të opozitës me faktorin ndërkombëtar. Mbase, opozita duhet të punojë më shumë për të rikthyer dhe stabilizuar dialogun me partnerët tanë ndërkombëtarë në Tiranë, sidomos me SHBA dhe BE.

Elona Meço: Ka të bëjë heshtja e tyre me praninë e ish-kryeministrit në këtë pjesë të opozitës që po ngre zërin kundër akteve të maxhorancës? Pra, ata nuk duan të ndihmojnë një opozitë që përfaqësohet nga dikush që SHBA e kanë shpallur non grata?

Agron Gjekmarkaj: Ata kanë një qëndrim të caktuar ndaj zotit Berisha dhe kjo është e njohur. Në fakt, mund të thuhet që edhe pas 2 viteve, pas disa konfrontimeve, debateve dhe përballjeve elektorale, zoti Berisha rezulton faktori kryesor opozitar në vend, por ne nuk jemi në këto beteja për zotin Berisha. Zoti Berisha ka një problem me drejtësinë, me SPAK-un. Shumë kolegë të mi të PD, e kanë mbështetur reformën në drejtësi, e kanë mbështetur SPAK në përpjekjen që po bën për të goditur korrupsionin, një nga plagët kryesore të këtij vendi në këto 33 vite. E inkurajojmë. Por ajo që na ka bërë përshtypje ka qenë shkelja e procedurës, sepse çdo qytetar ka të drejtën të garantohet nga Kushtetuta e vendit. Procedura e përdorur për t’i kufizuar liritë zotit Berisha, lë për të dëshiruar dhe hap një debat dhe interpretim të madh.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme