Publikimi i të dhënave të MEMEX, Berisha: Moment i rrezikshëm për vendin! Hackerat qeveritarë sulmuan sistemin TIMS

Politikë | 4 vite më parë

Pas publikimit të të dhënave të sistemit MEMEX nga “Homeland Justice”, ka reaguar Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha. Ky i fundit ka deklaruar se ky është një moment i rrezikshëm për vendin, ndërsa shtoi se janë publikuar 105mijë emra shqiptarësh të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve të ndryshme.

“Njoftimi i mëparshëm rezulton 100 përqind i vërtetë. Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet. Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit. Është ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore, dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen.

Nga data 15 korrik deri më sot nuk është marrë asnjë masë për mbrojtjen e sistemeve, të tjerat janë mashtrime. Kurse nxjerrja e të dhënë të kartotekës përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe të dorëzimit të këtij shteti mafioz tërësisht në duart e krimit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë veprimtari kriminale shtetërore. E kam të qartë se hacker iranianë sulmuan portalin e-albania dhe e besoj raportin e publikuar, por absolutisht, të dhënat faktojnë se ata nuk janë të vetëm. Sistemet digjitale u shkatërruan nga kombinime hakerash rajonale, europainë. Imagjinoni për një moment një proces që ka filluar në vitin 2017-2018 me publikimin e të gjitha të dhënave për oficerët e shërbimit informativ kombëtar. Proces që u vazhdua me dorëzimin e të dhënave personale të 1 mln shqiptarëve, që u vazhdua me publikimin e rrogave, targave, a ka njeri sot në një proces të vetëm gjyqësor për të gjithë këtë veprimtari, që ishte absolutisht qeveritare. Drejtësia është e tëra një vegël e partisë shtet dhe zbaton vetëm urdhrat e saj”, tha Berisha.

Sakaq, kreu i PD duke u ndalur te hackerimi i sistemit TIMS, bëri me dije se sulmi është bërë nga hackera qeveritarë me qëllimin për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve deputeteve me grupe trafikantësh dhe kriminale dhe udhëtimet e tyre të përbashkëta që janë provë e bashkëpunimit me politikën.

“Sistemi TIMS sipas burimeve serioze është sulmuar nga hakera qeveritarë me qëllimin për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve deputeteve me grupe trafikantësh dhe kriminale dhe udhëtimet e tyre të përbashkëta që janë prove e bashkëpunimit me politikën. Nxjerrja e të dhënave të kartotekës përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe të dorëzimit të këtij shteti mafioz në duart e krimit”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme