Qeveria përcakton rregullat për kontributin e sektorit privat për krijimin e fondit publik të banesave sociale

Qeveria, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, përcaktoi të mërkurën rregullat për kontributin e sektorit privat për krijimin e fondit publik të banesave sociale, në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për strehimin social”.
Në kontratën paraprake midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat, që paraqet kërkesën për leje zhvillimi dhe ndërtimi, do të përcaktohet edhe mënyra e përfitimit të fondit publik të banesave sociale, referuar sipërfaqeve me metër katror apo e dhënë ajo në vlerë leku, sipas çmimit referues të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, bazuar në sipërfaqen e përgjithshme funksionale të objektit të banimit në ndërtim.
Kontrata paraprake lidhet në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit/zhvillimit.
“Këto përcaktime zbatohen edhe në rastet kur një subjekt, që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese kërkon rritje të intensitetit të ndërtimit, sipas ligjit “Për strehimin social”. Sipërfaqen takuese, në përmbushje të qëllimit të strehimit, në rast pamundësie për ta dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, subjekti privat e jep atë menjëherë në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi, në përputhje me normat e projektimit të banesave, përfunduar dhe certifikuar me dokumentin e pronësisë, duke e ekuivalentuar në vlerë monetare, sipas çmimit referues të pasurisë paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, për të cilin është dhënë leja ndërtimore.”, thuhet në vendim.
Për të gjitha ato subjekte që janë pajisur me leje ndërtimi dhe nuk kanë nënshkruar ende kontratën përfundimtare të kalimit të pronësisë me njësinë e vetëqeverisjes vendore, subjekti mund të propozojë që sipërfaqen ndërtimore, në funksion të fondit publik të banesave sociale mund ta ofrojë për ta dhënë në një sipërfaqe të ndryshme nga ajo që po ndërtohet, por me kushtin që sipërfaqja të jetë e përfunduar dhe e certifikuar me dokumentet e pronësisë.
Edhe në këtë rast, ekuivalentimi në vlerë monetare bëhet sipas çmimit referues të pasurive të paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet.
“Kontrata përfundimtare, që nënshkruhet midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat për kalimin e sipërfaqes ndërtimore, në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo kontratë përmban të dhënat e sakta në lidhje me sipërfaqen, zonën, numrin e njësive të banimit dhe çdo të dhënë tjetër të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.”, theksohet në vendimin e qeverisë.
Në rast se kalimi i sipërfaqes ndërtimore është e dhënë në vlerë leku, fondi kalon nga investitori në llogarinë e posaçme të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në favor të fondit publik të banesave sociale. Do të jenë njësitë e vetëqeverisjes vendore përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




