Qytetarët dhe studentët protestojnë në Beograd, përplasen me policinë. Arrestohen 47 persona dhe lëndohen 17 efektivë

Mijëra studentë dhe qytetarë nga e gjithë Serbia u mblodhën të dielën në Sheshin “Slavija” në Beograd në protestën “Studentët fitojnë”, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, qeverisje të ndershme dhe luftë kundër korrupsionit.
Tubimi u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, të cilat përfunduan me arrestime dhe të lënduar.
Protestuesit u mblodhën nën slogane si “Zgjedhja është e jona” dhe “Ose Serbia, ose mafia”, duke shprehur pakënaqësi të thellë me situatën politike në vend. Studentët paraqitën një pjesë të programit të tyre politik, duke theksuar kërkesat për liri, drejtësi dhe jetë dinjitoze.
“Në vazhdojmë të luftojmë për të njëjtat kërkesa si gjatë muajve të kaluar. Protestat studentore vazhdojnë dhe ne mbetemi të bashkuar”, thanë përfaqësuesit e studentëve.
Qytetarët e pranishëm shprehën shpresën për një Serbi “normale dhe demokratike, të bazuar në sundimin e ligjit dhe integrim në bashkësinë evropiane”.
Shumë prej tyre e lidhën korrupsionin e përhapur me 14 vitet e qeverisjes së presidentit Aleksandër Vuçiç. Pas përfundimit të tubimit, situata eskaloi në incidente dhe përplasje me forcat e policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, deklaroi se policia ndërhyri pasi u sulmua dhe akuzoi “provokatorë” për përpjekje të qëllimshme për të krijuar kaos. Sipas tij, janë arrestuar 47 persona dhe janë lënduar 17 punonjës të policisë.
Nga ana tjetër, opozita dhe studentët akuzuan pushtetin se ka organizuar provokime me qëllim komprometimin e protestës. Ata raportuan se dhjetëra persona janë rrahur dhe arrestuar, disa prej tyre me lëndime të rënda.
Kjo protestë konsiderohet si një nga më të mëdhatë në fillim të këtij viti dhe vazhdim i lëvizjes studentore e qytetare që nisi pas tragjedisë në Novi Sad në fund të vitit 2024, e cila u shndërrua në një valë të gjerë protestash kundër qeverisjes së presidentit Aleksandar Vuçiç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




