Rama i rikthehet fushatës: Më 14 maj të heqim “apendicitin” me dy koka! Nëse votoni “gamorin” me veshë të gjata, s’ka mbështetje nga qeveria

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer fushës elektorale, pas ndërhyrjes kirurgjikale të kryer pak ditë më parë për heqjen e apendicitit.
Nga Kamza ku vijoi rrugëtimin e gjelbër për mbjelljen e pemëve për 14 majin, Rama tha se vendi po vuan nga “një apendicit i dhimbshëm i shumë viteve” që sipas tij ka dy koka, duke iu referuar Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Sot kemi një apendiciti më të rëndësishëm për të hequr, ai i dhimbshëm i shumë viteve me dy koka, emrat i të cilëve nuk po i përmend që të mos prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër”, tha Rama.
Duke e konsideruar Kamzën si simbolin e Rilindjes duke pësuar zhvillim dhe investime të mëdha, Rama tha se qytetarët duhet të zgjedhin të votojnë atë kandidat që ka treguar se punon dhe e ka “kurrizin e fortë” për të zgjidhur hallet e qytetarëve.
“Besimi i PS i shumë njerëz në Kamzë ta kuptojnë që ky liqeni nuk është as i majtë dhe as i djathtë dhe kjo ura ju shërben dhe të majtëve dhe të djathtë dhe ndriçimi nuk ndryshon majtas ose djathtas, që shkollat, kopshtet, çerdhet nuk janë të majta apo të djathta. Ju them atyre që akoma se kana ndarë mendjen, nuk ka nevojë të më doni mua. Këtu është puna për “gamorin’ që do merrni t’ju shërbejë. E doni ‘gamorin” me kurriz të fortë si Rakip Suli, apo me dy veshtë të gjata, si e doni?”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se nëse votohen kandidatët e “non gratës” për të drejtuar bashkinë, qeveria nuk do i mbështesë.
“Kush do fusë “gamorin” me veshët të gjata në bashki ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mund të na vënë përpara faktit të kryer dhe të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individë të shpallur Non Grata. Qeveria nuk do ja lejojë këtë turp Shqipërisë me drejtimin nga “non grata”, tha Rama.
Rama ka komentuar edhe projektin për nëntunel te sheshi “Skënderbej” të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi. Për Ramën, tha se “këta me veshë të gjatë” dinë vetëm të hapin gropa dhe se kush shkon pas tyre shkon në gropë.
“E dëgjuat këtë figurën, do hapi në sheshin “Skënderbej” nënkalim. Të bëjnë me vdek nga të qeshmet. Pse do e bëjë, sepse këta dinë vetëm të hapin vetëm gropa. Këta një gropë nuk dinë ca të bëjnë kur e hapin. Kush shkon pas tyre shkon vetëm pas gropave. Me këtë rast besoj që ata që janë demokratë por kanë mendjen ne vend, besoj se e kanë kuptuar se janë të gjitha të pavërtetë poshtërsitë që “Rama nuk do Kamzën”, sepse kaq mundësi ka. 4 vite nuk janë asgjë në një vend kur janë hapur gropa për 30 vite, por 4 vite mundësi patëm”, tha Rama.
Teksa kërkon votën për Rakip Sulin, Rama tha se do 4-fishojë investimet në Kamëz.
“Nëse nuk ja jepni votën Rakipit do më kujtoni duke thënë se na i tha ai gomari i gjatë po ne se dëgjuam”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




