Rama intervistë për “La Repubblica”, asnjë interes nga marrëveshja

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, për të dhënë detaje për marrëveshjen e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve.

I pyetur se cili është interesi i Shqipërisë në këtë pakt, z. Rama u përgjigj me një pyetje retorike.

“Kush ishte interesi i Italisë që të na pranonte ne në momentin kur ne ia mbathnim nga ferri kur ra regjimi komunist. Ku ishte interesi i Italisë që ka qenë një ndihmë e madhe këtu në Shqipëri.Ose kur çoi skuadrën e saj për të shpëtuar jetë kur ndodhi tërmeti i para disa viteve këtu. Për ne, Italia është speciale, nuk ka një interes direkt, nga pikëpamja materiale, nuk përfitojmë asgjë, ne i japim disponibilitetin territorial dhe Italia merret me gjithë procedurat operacionale,” u shpreh kryeministri.

Z. Rama theksoi se kërkesa për të pritur emigrantët i është bërë edhe nga vende të tjera të Bashkimit Evropian, por Shqipëria i ka refuzuar ato gjithnjë.

“Gjatë këtyre viteve kemi pasur kërkesa të tilla edhe nga vende të tjera evropiane, por kemi thënë gjithmonë jo,” tha z. Rama.

I pyetur se cilat janë këto shtete, kryeministri kërkoi të mos i identifikonte, pasi nuk do të ishte e drejtë për to.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme