Rama me shqiptarët në Detroit: Flamingoja e ktheu Shqipërinë në adresë botërore, tregoi se shoqëria sot kërkon më shumë nga qeveria

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me diasporën shqiptare në Detroit, Michigan, ku foli për ndryshimet në shoqërinë shqiptare, zhvillimin e vendit, mbrojtjen e natyrës dhe raportin mes qytetarëve dhe institucioneve.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rasti i protestave i cilësuar edhe si “Revolucioni flamingo” që këtë verë u bë një nga simbolet më të diskutuara në Shqipëri, duke e lidhur atë me vëmendjen ndërkombëtare ndaj vendit dhe me ndryshimin e mënyrës se si shoqëria shqiptare reagon ndaj çështjeve të mjedisit.
“Para pak ditësh po lexoja se jo shumë larg nga këtu ku jemi sot, dy ose tre vite më parë, disa gjuhëtarë panë për herë të parë një flamingo. Komisioni shtetëror i regjistrimit të shpendëve në Amerikë e certifikoi zyrtarisht praninë e këtij shpendi dhe e quajti një prani jashtëzakonisht të rrallë. Por këtë verë flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë, doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin, ekranet dhe mori vëmendje në të katër anët e globit. Askush nuk do t’i kishte shkuar mendja se si një shpend do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debati shumëplanësh për natyrën, zhvillimin, turizmin dhe Trampizimin. Përtej këtij të fundit që, për hir të së vërtetës, e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka shumë domethënëse në manifestimin qytetar të protestës së qershorit, që tërhoqi jo vetëm vëmendjen, por edhe mbështetjen e shumëkujt edhe në diasporë”, u shpreh Rama.
Rama tha se protesta tregoi se reagimi i shoqërisë shqiptare tregon një ndryshim në mënyrën se si qytetarët kërkojnë llogari nga institucionet. Rama tha se sot qasja e qytetarëve ka ndryshuar dhe se pritshmëritë ndaj qeverisë dhe shtetit janë rritur.
“Deri dje natyra masakrohej në Shqipëri si askund në botë dhe askush nuk pipëtinte. Deri dje Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe bota nuk e shihte, ndërsa shqiptarët as nuk mund ta shihnin, në fakt, se jeta aty zhvillohej me idenë se ka edhe më keq. Sot jetohet me idenë se jetohet edhe më mirë dhe kjo qasje e re e shoqërisë e vulosi ai manifestim: një shoqëri që kërkon më shumë, një shoqëri që është ngritur dhe nuk pranon të ulë më shikimin”, u shpreh Rama.
Në vijim, Rama theksoi se kërkesat nuk duhet të drejtohen vetëm ndaj qeverisë dhe institucioneve, por edhe ndaj vetë qytetarëve dhe mënyrës se si ata bashkëjetojnë në një shoqëri demokratike.
“Mësuam të kërkojmë më shumë nga qeveria, nga shteti. Ne duhet të mësojmë të kërkojmë më shumë edhe nga vetja, si pjesë e shoqërisë së re shqiptare dhe sidomos në mënyrën se si shohim njëri-tjetrin kur mendimet nuk na puqen. Demokracia është një mospajtim që e përjashton urrejtjen, që nënkupton respektin dhe një luftë ku qëllimi nuk justifikon çdo mjet”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



