Rama në gjimnazin e rikonstruktuar “Gramoz Palushi”, Kushi: Paketa e sigurisë, risi për shkollat e vendit

Sociale | 3 vite më parë

Me nisjen e vitit të ri shkollor, kryeministri Rama ishte sot në gjimnazin “Gramoz Palushi” të Kamzës ku pa nga afër edhe godinën e rikonstruktuar të kësaj shkolle.

Rama ishte i shoqëruar së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës Rakip Suli.

Në fjalën e saj Kushi shpjegoi edhe kapacitetet e këtij gjimnazit dhe pajisjen e tij me të gjitha elementët e domosdoshëm.  

 “Këtu janë 20 klasa. Do të ketë edhe laboratorë për shkencat, biologji, fizikë, kimi. Do të ketë gjithashtu laboratorin e informatikës, ndërkohë këtu do të zbatohen të gjitha programet e reja që ne kemi përfshirë, që nga programi i ekipeve sportive futbolli në shkolla, do të kemi edhe programin “toka në shkollë’’, ndërkohë që do të shërbejë si qendër komunitare sepse i  plotëson tashmë të gjitha standardet që të mos përfitojnë vetëm 650 nxënësit edhe 33 mësuesit. por edhe të jetë në shërbim të të gjithë komunitetit në këtë zonë. Shkolla do të ketë edhe një klasë burimore që është në shërbim të nxënësve me aftësi ndryshe. Do të ketë edhe kabinetin psiko- social. Tashmë do të ketë edhe mjetet e duhura që shërbimi psiko- social t’i shërbejë nxënësve, mësuesve për të gjitha nevojat që mund të lindin.” – shpjegoi ministrja Kushi.

Ajo vuri në dukje edhe risitë e këtij viti shkollor dhe konkretisht të këtij gjimnazi.  

“Ky vit i ri shkollor vjen me disa risi, sikurse  nxënësit e këtij gjimnazi edhe 71 mijë nxënësit në të gjithë Shqipërinë sot kanë hyrë në shkolla të reja ose shkolla të rikonstruktuara gjithmonë me standarde më të mira ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë 242 mijë nxënës kanë përfituar tekstet shkollore falas.” – u shpreh Ministrja Kushi teksa shtoi se “një nga risitë më të rëndësishme këtë vit do të jetë edhe paketa e sigurisë në shkolla në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me drejtorinë e Policisë. Këtë vit do të ketë shumë masa të reja shtesë për te garantuar më shumë qetësi edhe për t’i mbrojtur më shumë nxënësit, jo vetëm brenda territorit të shkollës, por edhe jashtë perimetrit te shkollës. Do te kemi edhe nisma të reja ligjore për ta zbatuar.” – tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme