Rama: S’do financojmë më studime jashtë vendit për ekselentët, do i japim pagë minimale

Politikë | 4 vite më parë

Studentët ekselentë nuk do të financohen më nga shteti për të studiuar në Universitete prestigjioze jashtë vendit, por do të shpërblehen me një “pagë minimale” në Shqipëri. Kështu bëri me dije kryeministri Eidi Rama, gjatë një takimi me maturantët me mesatare 10 absolute, të cilët morën sot medalje ari.

Kreu i qeverisë argumentoi se kjo është bërë prej faktin se shumë studentë, të cilët janë dërguar me studime jashtë, nuk janë rikthyer më në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre.

Kryeministri nuk bëri me dije vlerën e asaj që e quajti “pagë minimale”, por sqaroi se do të përfitojnë nga 200 deri në 400 studentë në vit. Fokusi do të jenë degët prioritare, siç është mjekësia, ndërsa ata studentë që do të bëhen pjesë e këtij sistemi, do të mund ta marrin diplomën 3 vite pasi kanë dhënë kontributin e tyre në Shqipëri.

“Kemi financuar mesatarisht 20 studentë çdo vite për të studiuar në universitet më të mira të botës, por asnjëri nuk ka patur mirësinë që t’ja kthejë këtij vendi vlerësimin. Po t’i marrësh para nga taksat një numri të madh prindërish dhe të thuash që unë do shkoj të studioj dhe do kthehem këtu, por jo vetëm të mos kthehesh, pro as të mos kujtohesh të dërgosh një letër të thuash ‘e kam të pamundur të kthehem’, kjo është e tepërt dhe boll. Ne nuk do financojmë më studime jashtë, por do financojmë ata studentë ekselentë dhe do bëjmë financim të konsiderueshëm, jo duke dhënë bursë, por pagë minimale për çdo student që është i këtij niveli. Tek mjekësia, ato që janë degët prioritare do fokusohemi dhe do financojmë midis 200 deri në 400. Do japim një pagë për çdo njërin, por askush që do hy në këtë sistem nuk do e marri diplomën para 3 vitesh. Pra një mjek do e financojmë, do punosh 3 vite mjek këtu dhe pastaj do marrësh diplomën dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme