Rama viziton zonën e Rindërtimit në Spitallë së bashku me drejtuesin e kompanisë Emaar Group

Kryeministri Edi Rama ishte në lagjen e re Spitallë të Durrësit, së bashku me Muhammed El Alabbar, drejtuesin e kompanisë së famshme EMAAR Group (projektuesja dhe ndërtuesja e dhjetra investimeve në Dubai e nëpër botë), në zonën ku për disa javë nis puna për lagjen e re, pranë së cilës po ndërtohet edhe Eko-Parku i madh i Durrësit.
Kryeministri Edi Rama, duke falënderuar mikun nga Dubai, u shpreh se zona që ishin duke vizituar do të transformohej plotësisht. “Këtu është vendi ku do ndërtojmë Durrësin e ri. Ndërkohë mund të nisim me ndërtesat, pasi mund të nisim paralelisht punë si përsa i takon infrastrukturës ndihmëse ashtu edhe pallateve. Këtu kemi një ndërthurje të panoramës së bukur dhe të një infrastrukture të jashtëzakonshme për të gjithë”,- tha Rama.
“Është një kombinim, pasi këtu kemi zonën e re të mrekullueshme me parqe e shërbime me fëmijët dhe më tej do kemi një transformim të madh, të një dige të tmerrshme që ka qenë prej vitesh. Tashmë në atë kodër, atje do jetë një park ekologjik dhe më tej zona ekonomike dhe porti i ri që do të ndërtohet. Do të jetë një qytet krejt ndryshe, një destinacion komplet ndryshe. Jam shumë krenar që gjendemi këtu dhe që kemi bërë këtë marrëveshje të rëndësishme ku ecim me rindërtimin dhe ndërtimin e qytetit të së ardhmes. Ky është zotëria që ndezi me flamurin e himnin shqiptar godinën më të lartë të Dubait”,- tha Rama.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako sqaroi se një pjesë e zonës do të jetë për shërbime, shkolla, institucione. “Zona do të ketë 70 ndërtesa, gati 196 apartamente, do të kemi infrastrukturën për të gjithë zonën”, u shpreh ajo.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se infrastruktura do të jetë investim i buxhetit të shtetit.
Muhammed El Alabbar, drejtuesi i kompanisë së famshme EMAAR Group u shpreh i kënaqur. “Keni bërë goxha punë deri më tani. Është nder i madh për ne që të vijmë këtu. Zona është shumë e bukur, dhe bashkë me infrastrukturën do gjenerojë cilësi jete. Duam të ndihmojmë njerëzit të qeshin, të bëjnë më të mirën. E ndjejmë veten si në shtëpi”,- tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




