Raportohet për 12 të arrestuar lidhur me shembjen e ndërtesave në Turqi

Rajon | 4 vite më parë

Policia turke ka arrestuar 12 persona lidhur me shembjen e ndërtesave në provincat juglindore të Gaziantepit dhe Sanliurfës, raportuan mediat lokale, pas tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë.

Sipas agjencisë së lajmeve, DHA, në mesin e të arrestuarve ka edhe kontraktorë.

Të paktën 6.000 ndërtesa janë shembur pas tërmetit 7.8 ballësh që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt. Nga ky tërmet kanë vdekur mbi 25.000 persona, dhe kjo ngjarje ka nxitur zemërimin e publikut lidhur me kualitetin e dobët të ndërtimit.

Ekipet e shpëtimit duke bartur me barelë një grua, që ishte bllokuar nën rrënoja në Hataj. 10 shkurt 2023. 

Pritet që të ketë edhe arrestime të tjera, pasi prokurori publik në Dijarbakër – një prej dhjetë provincave që u goditën nga tërmetet – lëshoi urdhër-arreste për 29 persona të shtunën, raportoi media shtetërore.

Një prej të arrestuarve të shtunën ishte një kontraktor i një ndërtese në Gaziantep, raportoi media shtetërore, duke shtuar se ai u gjet nga Policia në Stamboll.

Ka pasur një valë të hetimeve të nisura nga prokurorët në provincat e goditura nga tërmeti.

Ministria e Drejtësisë së Turqisë ka urdhëruar prokurorët në dhjetë provincat turke që të themelojnë “zyra hetuese për krime sa i përket tërmeteve”.

Të premten, Policia turke arrestoi një kontraktor të një banese luksoze që u shemb në provincën Hataj. Ai u arrestua në aeroportin e Stambollit, teksa u raportua se po tentonte që të largohej nga shteti. ( Sipas Europa e Lirë )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme