“Territorialja”, Berisha takime me aleatët: Drafti i PS, i njëanshëm dhe pa konsultim. Dalja e opozitës nga institucionet i shërben Ramës

Politikë | 42 minuta më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me aleatët politikë lidhur me reformën territoriale, duke deklaruar se opozita do të vijojë të kundërshtojë projektin e shumicës për riorganizimin e pushtetit vendor.

Sipas Berishës, qeveria ndërpreu konsultimet dhe paraqiti një draft me 46 bashki, ndërsa Partia Demokratike ka propozuar një alternativë me 100 bashki, duke lënë të hapur mundësinë për krijimin e njësive të tjera në varësi të plotësimit të kritereve.

“Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam. Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira. Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri.

Nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre”, tha Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se ndryshimet e propozuara nga qeveria janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke kërkuar konsultim më të gjerë për reformën.

Berisha tha se në disa bashki ka pasur protesta kundër ndryshimeve dhe se edhe këshilltarë të mazhorancës nuk kanë mbështetur shkrirjen e tyre.

“Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij. Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum. Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet.

I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij. Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët. Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive”, tha Berisha.

Berisha tha se opozita duhet të vijojë betejën brenda institucioneve, duke argumentuar se largimi i saj nga Kuvendi do t’i shërbente mazhorancës. Gjatë takimit, Berisha tha se opozita ndodhet përballë dy alternativave: të largohet nga institucionet ose të vijojë përballjen politike brenda tyre.

“Kjo është një opozitë në diktaturë. Në këto kushte opozita ka dy zgjidhje, ose të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve. Asnjë kusht për të qenë në institucione nuk ka. Asnjë e drejtë e saj nuk respektohet. Por, braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës. Se si e bllokon kur merr 83 mandate, unë nuk e di. E ka zgjidhur ai problemin, me 83 mandate ai i përdor ato për të gjitha gjërat që i duhen, ligje të kësaj natyre. Në zgjedhje bllokohet, po nuk more pjesë në zgjedhje, ai zgjedhjet i zhvilloi siç i zhvilloi”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, mazhoranca ka 83 mandate dhe mund t’i përdorë ato për të miratuar ligje pa pasur nevojë për mbështetjen e opozitës. Berisha argumentoi se, pavarësisht vështirësive që opozita has largimi prej institucioneve nuk është zgjidhje.

“Madje duhet të dish një gjë, kur u dogjën mandatet, zotëria e ekzekutoi vendimin për 24 orë, kur hapësira ligjore ishte 3 javë. Kemi të bëjmë me një njeri që e do me çdo kusht opozitën jashtë institucioneve. Kur të doni marrim vendimet dhe i diskutojmë, por dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij. Këtu kemi të bëjmë me një regjim, i cili nuk njeh as ligj, as Kushtetutë. Ndaj dhe këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij. Zgjidhje tjetër, ne këtu do jemi”, tha Berisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme