Rikthehet Reforma në Drejtësi/ PS-PD ngrenë grupin e punës për ndryshimin e 6 ligjeve

6 vjet pas Reformës në Drejtësi, ligjet për disa nga institucionet kryesore do të ndryshojnë përsëri. 6 vjet më parë, mënyra e hartimit të këtyre ligjeve ishte çështja që ndante maxhorancën dhe opozitën, por tani nuk duket të jetë kështu. Pa shume bujë dhe pa debatet e zakonshme konfliktuale, palët kanë rënë dakord të punojnë së bashku.
“Me vendim të kryesisë së Komisionit, në vijim të raportimeve të institucioneve të pavarura dhe nevojave që ngritën institucionet e drejtësisë për disa ndryshime dhe përmirësime ligjore është ngritur një grup punë nga maxhoranca dhe opozita, i cili po punon bashkë me ekspertët, në konsultim me partnerët ndërkombëtarë për adresimin e këtyre shqetësimeve”,-tha përfaqësuese e PS në Komisionin e Ligjeve Klotilda Bushka.
Grupi i punës përbëhet nga 3 përfaqësues të Partisë Socialiste në komisionin e Ligjeve, Klotilda Bushka, Toni Gogu dhe Klevis Xhoxhi, si dhe 2 përfaqësues të opozitës, Dhurata Çupi dhe Gazment Bardhi, i cili ka qenë një nga njerëzit kyç të Partisë Demokratike, gjatë reformës në drejtësi.
“Pasi grupi i punës të ketë një produkt, ai do të shpërndahet tek të gjithë anëtarët e komisionit para se te depozitohet si nismë ligjore“, tha Bushka.
Burime zyrtare bënë të ditur për RTSH se institucionet e drejtësisë kanë propozuar ndryshimin e 6 ligjeve nga 7 gjithsej që kishte Reforma në Drejtësi.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




