Rindërtimi në Krujë/ Rama: Më 31 dhjetor mbyllet procesi i shortit dhe dorëzimi i çelësave

Janë drejt përfundimit 22 godina 5-katëshë për familjet e prekura nga tërmeti në Krujë. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku panë nga afër banesat e reja ndërsa bëri me dije se me 31 dhjetor do të mbyllet procesi i shortit dhe dorëzimi i çelësave të banesave të reja.
“Me 31 dhjetor do mbyllet shorti dhe do shpërndajmë çelësat për shtëpitë e reja. Festat e fundvitit do të mund t’i gëzoni në shtëpi të re. Të mbyllen të gjitha punimet, pasi nëse ndërpresim punimet bie volumi. U jemi mirënjohës familjeve për durimin dhe besimin se ne nuk do t‘i harronim”, u shpreh Rama ndërsa bëri me dije se vijojnë me ritme të shpejta edhe punimet në Fushë Krujë.
Në banesat e reja do të strehohen 336 familje të goditura nga fatkeqësia.
Nga ana e saj Balluku bëri me dije se procesi i rindërtimit do të përfundojë deri në 31 dhjetor 2023 edhe në bashkitë e Krujës, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë, duke dorëzuar banesat tek familjet e prekura nga tërmeti. Ajo deklaroi se 17 miliardë lekë ka akorduar qeveria, për përmbylljen e këtij procesi.
“Me aktin normativ që aprovuar javën e fundit në qeveri e kemi shtuar investimin për vitin 2023 me 12 miliardë të tjerë, duke e çuar kështu investimin në programin e rindërtimit në 17 miliardë dhe besojmë që në këto momente të gjitha kantieret janë të financuara dhe të gjitha bashkitë do të ketë mundësi që të avancojnë”, deklaroi ajo.
Në total deri më tani janë dorëzuar çelësat për afërsisht 6 mijë që sot jetojnë në shtëpi më të mira, më të bukura e më të forta se sa ato që humbën nga tërmeti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



