Rruga Orikum–Dukat financohet nga bankat

Eshtë finalizuar me sukses aprovimi dhe fillimi i disbursimit të kredisë të përbashkët më të madhe dhënë biznesit shqiptar gjatë dy viteve të fundit nga bankat që operojnë në Shqipëri. Financimi i dhënë, në shumën rreth EUR 26 milionë, i është akorduar shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum–Llogara”, e cila ka marrë përsipër realizimin e infrastrukturës së re rrugore Orikum–Dukat në zonën e Vlorës.
Ky investim synon rritjen e standardit të sigurisë rrugore dhe modernizimin e infrastrukturës, për zgjerimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit në bregdetin tonë jugor. Investimi përfshin gjithashtu ndërtimin e disa urave dhe një tuneli panoramik në këtë aks rrugor.
Ky financim i përbashkët është mundësuar nga bashkëpunimi i bankave: Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Bank Albania dhe Tirana Bank duke patur si objektiv mbështetjen për zhvillimin e ekonomisë lokale.
Përfundimisht rruga nga “Porti i Jahteve” në Orikum deri tek Ura e Shën Elizës në Dukat do të ndërtohet me koncesion. Ajo është e gjatë vetëm 15 kilometra dhe kosto e ndërtimit do të jetë 50,5 milionë euro, ose rreth 3,36 milionë euro për një kilometër.
Megjithëse ishte një ofertë e pakërkuar, qeveria vendosi që këtë rrugë ta ndërtojë brenda paketës së “1 mld euro”, ku përfshihen edhe vepra të tjera.
Mësohet se në shumën prej 50,5 mln eurosh do të përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës, e cila e do të ketë gjerësi 7 metra, me dy korsi. Së bashku me bankinën, gjerësia e seksionit të rrugës arrin në 10 metra.
Kosto e ndërtimit prej rreth 3.36 milionë euro për kilometër është shumë herë më e lartë se praktikat e mëparshme në Shqipëri, për të ndërtuar një rrugë të C2.
Në vitin 2009, qeveria shqiptare ka ndërtuar 35 kilometër rrugë të tipit C2, të cilat, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kanë kushtuar 664 mijë euro për kilometër.
Kontrata koncesionare për ndërtimin e kësaj rruge do të jetë e ngjashme me disa vepra të tjera. Për tre vitet e para, kompania investitore do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës dhe më pas fillon shlyerja.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




