RTSH e balancuar në fushatë – Transmetuesi publik, dritarja e vetme edhe për partitë e vogla
Fushata zgjedhore, e përcaktuar edhe në Kodin Elektoral, u kërkon televizioneve të respektojnë një mbulim të ekuilibruar, pluralist dhe të paanshëm, e kjo ka ndodhur edhe me transmetuesin publik, Radio Televizionin Shqiptar, që respektoi standardet e gazetarisë profesionale deri në orën 19:00 të ditës së votimit, më 11 maj.
Një shkrim i “reporter.al“, ku dhe i bëhet analizë raporteve të Autoritetit të Medies Audiovizive, në lidhje me kohën e vënë në dispozicion partive në transmetime, gjatë fushatës elektorale rendit transmetuesin publik, RTSH 1 dhe RTSH 24, si më të balancuar se mediet komerciale private.
Ndonëse dy forcat kryesore morën më shumë kohë në transmetime në Radio Televizionin Shqiptar, vlen të theksohet se në RTSH 1 dhe RTSH 24, partitë e vogla arritën përfaqësimin me përqindje dyshifrore në pasqyrimin e medies publike.
Gjithashtu, duke iu referuar krerëve të partive më të mëdha, balanca është ruajtur e pasqyruar në monitorimin e përditshëm të AMA-s, ku kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha shënuan 38,1% dhe 32,8% të mbulimit, ndërsa aktorët e tjerë kanë zënë 29,1% – përqindja më e lartë e hapësirës së dhënë zërave alternativë në të gjitha kategoritë e medieve.
Monitorimi i transmetimeve “live” në 12 televizione informative e përforcon dhe më tej kontrollin e hapësirës mediatike nga Rama dhe Berisha. Nga mbi 43.260 minuta transmetim të drejtpërdrejtë të analizuar, Rama u shfaq për më shumë se 15.700 minuta – ekuivalenti i mbi 260 orëve “live”, duke zënë 36,3% të totalit. Berisha e ndoqi me 13.400 minuta ose 31,0% të totalit.
Rama dhe Berisha zunë dy të tretat e të gjithë minutazhit të drejtpërdrejtë të dedikuar aktorëve politikë në zgjedhje, duke reflektuar natyrën thellësisht të polarizuar të fushatës në medie.
“Pavarësia, shumëllojshmëria dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të zgjedhësve cenohen nga fakti që shumica e medieve varen nga financime jotransparente të interesave politike dhe interesave të biznesit, duke u mbështetur shpesh tek kontratat qeveritare,” shprehen vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR.
“Përqendrimi i pronësisë së medies e cenon edhe më shumë pluralizmin e burimeve informative, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare,” shtuan ata.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





