RTSH nderon kantautorin Luan Zhegu me çmimin “Pranverë e përhershme”, maestro Ciko ia dorëzon personalisht

Kulturë | 4 muaj më parë

Luan Zhegu, i vlerësuar si një nga figurat më të spikatura dhe legjendat e muzikës së lehtë shqiptare në rolin e këngëtarit dhe kompozitorit, është nderuar me çmimin e veçantë “Pranverë e përhershme” nga Radio Televizioni Shqiptar.

Gjatë ceremonisë, prezantuesit e festivalit, Bleona Qerreti dhe Nik Xhelilaj, kanë ftuar në skenë maestro Zhani Ciko për t’i dorëzuar personalisht trofeun kantautorit. Në fjalën e tij përshëndetëse, maestro Ciko theksoi kontributin e vyer të Zhegut në historinë e muzikës shqiptare, duke u ndalur te një moment specifik i karrierës së tij gjatë vitit 1997.

“Jemi në shtëpinë tonë në këtë Festival, në shtëpinë e muzikës. Për mua është një ngjarje e veçantë që një personalitet, kantautor si Luan Zhegu, i cili përshkruhet në këngët e tij me tematika të pasura merr këtë çmim”, deklaroi Ciko.

Duke risjellë në vëmendje kontekstin e trazirave të atij viti, ai shtoi: “Luan Zhegu në ‘97 kompozoi këngën “Fal” që e interpretoi Ledina Çelo dhe fitoi çmimin e parë. Vendi ishte në situata të vështira në ato kohë. Bëmë koncertin dhe kënga ‘Fal’ ishte apel për të urtuar dhe sensibilizuar njerëzit duke pasur parasysh situatën. Ndihem i vlerësuar që i dorëzoj Luanit këtë çmim”.

Nga ana e tij, pasi pranoi çmimin mes duartrokitjeve të ngrohta të sallës, Luan Zhegu ia kushtoi suksesin e tij mbështetjes së gjatë të dëgjuesve ndër dekada, si dhe institucionit organizator.

“Ky çmim i dedikohet publikut tim të mrekullueshëm që ka rreth 60 vite që bashkë-ecën me mua. Falënderoj stafin e festivalit dhe RTSH-në këtë emblemë të artit shqiptar për këtë vlerësim që më bëri”, u shpreh artisti pas marrjes së vlerësimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme