Rubio takon Gjuriq: SHBA – Serbia do nisin dialog strategjik, të ulen tensionet me Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, ku në qendër të diskutimeve ishte rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas një njoftimi nga Departamenti i Shtetit, Rubio i ka theksuar Gjuriqit nevojën për de-përshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, duke theksuar se kjo është kyçe për paqen dhe zhvillimin në rajon.
Të dy zyrtarët ranë dakord për nisjen e një dialogu strategjik dypalësh më vonë këtë vit, me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Ministrin e Jashtëm serb Marko Djuric. Ata ranë dakord që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të zhvillojnë një dialog strategjik dypalësh më vonë këtë vit për të thelluar lidhjet ekonomike dhe të sigurisë. Ata diskutuan gjithashtu rëndësinë e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të përgatitur terrenin për rritje ekonomike dhe prosperitet. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një marrëdhënie të dobishme reciprokisht me Serbinë që i shërben qytetarëve tanë dhe interesave tona”, thuhet në njoftimin e DASH.
Gjuriq u tha mediave serbe pas takimit se kjo vizitë ishte një mundësi e shkëlqyer për Serbinë që të fillojë bashkëpunimin strategjik me administratën e Presidentit Donald Trump.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





