Samiti i Demokracisë/ Rama: Përmirësimi i jetës demokratike, prioritet! Fokusi, integrimi i plotë i Shqipërisë në BE

Kryeministri, Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rama u shpreh se prioritet i qeverisë që ai drejton është përmirësimi i jetës demokratike në vend, teksa përmendi revolucionin digjital të shërbimeve publike.
“Përmirësimi i jetës demokratike mbetet përparësia jonë kryesore dhe t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë është pjesa më e rëndësishme e punës sonë të përditshme. Revolucioni digjital i shërbimeve publike në Shqipëri, që nisi vetëm me pak shërbime në e-Albania disa vjet më parë, u ka dhënë qytetarëve tanë tanimë mundësinë e marrjes së 1,225 shërbimeve online ose rreth 95% të të gjitha shërbimeve publike, që nënkupton më shumë transparencë dhe jo më ryshfet në ndërveprimin midis shtetit dhe qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thotë se mund të deklarojmë fitoren kundër korrupsionit, por thjesht se mund të provojmë ambicien tonë, vullnetin dhe këmbënguljen tonë për ta luftuar atë me një vizion të qartë modernizimi”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, teksa tha se falë saj po bëhet e mundur ndjekja penale e personave të lidhur me pushtetin. Sipas Ramës, një gjë e tillë ishte e paimagjinueshme vite më parë në vendin tonë.
“Reforma jonë në drejtësi, që është në themel të agjendës sonë të reformave transformuese, po i tregon më në fund vendit se, po, të luftosh korrupsionin është jo vetëm e mundshme, por e bëshme. Ndaj, falë një reforme të tillë tërësore dhe institucioneve krejt të reja të drejtësisë, ajo çfarë ishte historikisht e paimagjinueshme deri pak vite më parë, po bëhet praktikisht e mundur: individët e lidhur me pushtetin dënohen dhe ndiqen penalisht. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndonëse radhiti arritje të Shqipërisë në disa fusha, Rama theksoi se megjithatë ka ende punë për të bërë, teksa shtoi se fokusi është integrimi i plotë i vendit në BE.
“Si pjesë e Nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur, Shqipëria vazhdon të punojë drejt një qeverisjeje më të hapur, më reaguese dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj. Ne jemi krenarë që gjendemi në krye të indeksit të OKB-së për pjesëmarrjen e grave në qeverisje dhe që shohim sesi hendeku gjinor në forcën e punës zvogëlohet çdo vit me hapa të qëndrueshme – nga më shumë se 20% më pak 10 vite më parë, në më pak se 14% sot. Është bërë shumë punë në të gjitha frontet, por duhet bërë edhe më shumë, ndaj, kjo është ajo për të cilën luftojmë, duke qenë të përqendruar te destinacioni ynë i ri i integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik dhe duke i shërbyer këtij qëllimi krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj. Kohët e fundit ne pësuam një sulm kibernetik mjaft të rëndë nga një diktaturë, Irani, dhe mbetemi shpresëplotë se aleatët e Shqipërisë, mbi të gjitha ShBA-ja, do të bëjnë më shumë për të na ndihmuar të mbrojmë vendin tonë në një luftë që nuk mund ta fitojmë të vetëm”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




