Seanca për zv.kryeministren në Kushtetuese, GJKKO njofton mospjesëmarrjen

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese mbi ankimin e Kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e GJKKO-së në nëntor 2025 për pezullimin e ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas GJKKO-së, ajo nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues ku kërkues është Kryeministri. Në shkresën zyrtare nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, gjykata argumenton se pjesëmarrja e saj do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të gjyqësorit.
Kontrolli kushtetues mbi vendimet, jo mbi gjykatën, sipas GJKKO-së, kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin ose vendimin gjyqësor, dhe jo mbi gjykatën që e ka dhënë atë.
“Gjykata është autor i aktit dhe nuk mund të konsiderohet palë në konflikt juridik”, thuhet në vendim.
Gjykata sqaron se vendimet e saj jepen në emër të shtetit dhe çdo gjyqtar është i pavarur në vendimet që merr. Sipas GJKKO-së, thirrja e gjykatës për të mbrojtur një vendim konkret ndaj Kryeministrit do të cenonte këtë pavarësi dhe mund të krijonte perceptimin se gjykata po mbron vetveten, duke dëmtuar besimin e publikut në drejtësinë penale.
GJKKO konkludon se nuk mund të marrë pjesë si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese për një çështje konkrete penale që është ende në zhvillim, duke u mbështetur në nenet 135 dhe 75/a të Kushtetutës dhe Kodit Penal, si dhe nenet 8, 9 dhe 10 të Ligjit Nr. 95/2026 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Në një shtet demokratik, një gjykatë nuk mund të thirret dhe legjitimohet për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj”, thekson GJKKO në dokumentin zyrtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




